Kanë diçka të përbashkët "Përputhen" dhe "Big Brother"


Që prej nisjes sezonin e kaluar televiziv, si pjesë e "E diell", u pa që "Përputhen" do të ishte një emision që nuk do të kalonte pa u vënë re. Sezoni i ri, nisur nga suksesi i të parit, u vendos që të bëhej në një tjetër format, tashmë çdo ditë në ekran, me më shumë personazhe dhe histori, ndonëse herë pas here ka pasur disa pakënaqësi për ndryshimet. Ndonjëherë ndodh që një program në televizion të ketë fillim të vrullshëm, të gjitha gjërat e reja e kanë të tillë, dhe pastaj harrohen, Por për "Përputhen" çfare po vihet re?
Njerëzit pavarësisht se e shajnë, jo vetëm emisionin por edhe personazhet, i komentojnë negativisht, ndonjëherë edhe i ironizojnë, sërish e shohin dhe në mënyrë masive madje. Tregues për këtë janë disa. E para janë shikimet dhe komentet në Youtube. Kjo platformë gjithmonë e më shumë po kthehet në një "matës audience" dhe në rastin e "Përputhen", episodet të marra së bashku kanë me miliona klikime dhe mijëra komente. Po ashtu personazhet, deklaratat dhe zënkat e tyre, komentohen shumë në rrjetet sociale dhe me detaje, që do të thotë se njerëzit i ndjekin, i analizojnë dhe pastaj shprehin mendimin e tyre. Pikë tjetër për "Përputhen".
Vlen të përmendet edhe se lajmet që bëhen për programin klikohen shumë, pra ka interes për të ditur jo vetëm për ngjarjet ditore, por edhe për jetën e personazhenve jashtë ekranit. Aq shumë komentohen ata, sa edhe njerëzit që nuk janë publik i "Përputhen", tashmë e dinë kush është Shqipja (që bërtet) apo Andi (me të kaluar problematike).
Ju tingëllon e njohur e gjithë kjo? Besojmë se po, sepse është fiks e njejta gjë që ndodhte me programin hit të Top Channel, "Big Brother Albania". Në të gjithë sezonet e tij, përsëritej e njejta gjë, njerëz që e shanin formatin dhe atë që ndodhte, por që e ndiqnin, sidomos mbrëmjen e madhe të çdo jave. Personazhet e atij programi sigurisht që kanë pasur më shumë ipakt përgjatë viteve dhe ende sot janë të njohur, megjithatë historia është e njejtë.
Nëse për diçka flitet, atëherë do të thotë që shihet, dhe në fund të ditës, ekrani atë kërkon!
/News31