GOSS-BIZ 8 Shtator 2020, 15:19

Pas puntatës së pare të "Përputhen" publiku i internetit kërkon Olti Currin

Dje në ekranin e Top Channel nisi "Përputhen", program i cili në këtë sezon televiziv ka ardhur me ndryshime. Përveç faktit që ka kaluar nga një format i përjavshëm në një emision që transmetohet çdo ditë, po ashtu është ndryshuar moderatorja, opinionisti dhe pak nga mënyra e organizimit. Gjithsesi le të qëndrojmë pak te roli i opinionistit, duke qenë se është komentuar shumë në rrjetet dhe platofrmat sociale.

Nisur nga ky lajm i "Newsbomb ", vendosëm të shihnim komentet e ndjekësve të "Përputhen" në Youtube, aty ku ka një numër të konsiderueshëm klikimesh. Mes fjalive që komentojnë protagonistet e këtij edicioni dhe gjërat që pëlqejnë ose jo, të shumta janë edhe ato për opinionistin e sezonit të parë të programit, Olti Currin.

Disa shprehen se emisioni nuk duhet nisur fare pa Oltin, dikush i ngatërron emrin dhe e quan Olsi, megjithatë pranon se ai kishte tjetër autoritet. Ndërkohë të tjerë fansa të programit shprehen se "ngacmimet" dhe komentet e Currit ndiznin debatin mes konkurentëve dhe i jepnin energji programit atëherë kur duhej, po ashtu thonë se pa të nuk ka as humor. Nuk mungojnë as krahasimet në komente, as epiteti si "qershia mbi tortë" i "Përputhen".

I kontaktuar nga "News31", Olti u shpreh se ende nuk e ka parë programin, por do ta shohë në "Youtube". Për të gjithë komentuesit që e kërkojnë, blogeri i njohur bëri me dije se së shpejti do bëjë një "Live" në Instagramin e tij, ku do t'i japë mundësinë publikut të komentojë emisionin dhe pjesëmarrësit.

Pra tani e dini mendimin e fansave dhe se ku duhet të shkoni, për një "copëz" nga "Përputhen" i sezonit të kaluar, që siç shihet është ende i preferuar nga ndjekësit dhe fansat.

/News31