OPINIONS 31 Janar 2019, 00:00

Ta vazhdojmë protestën apo jo? Mendohuni derisa të gjejmë ndonjë klasë bosh për provimet

Ta vazhdojmë protestën apo jo? Mendohuni derisa të gjejmë

Një shkrim nga Entela Kurtulaj

Më kujtohet kur para gati tre vitesh, më duhej të vendosja se ku dhe për çfarë duhet të vazhdoja studimet e mia universitare. Më në fund, vendosa që të studioja gazetari në Universitetin e Tiranës. Kam qenë gjithmonë e mendimit se arsimi cilësor është thelbi i një shoqërie të zhvilluar. Vërtetë nuk kisha shkuar asnjëherë në asnjë universitet të huaj, por falë teknologjisë, sot, të gjithë ne mund të shohim çdo cep të botës. Shihja shkollat e ciklit të lartë në vende të ndryshme të Europës, e besoja se pak a shumë i tillë do të ishte dhe rrugëtimi im në universitet. Sot, pothuajse në përfundim të studimeve në një universitet shqiptar, kam vërtetuar krejt të kundërtën… fatkeqësisht!

Të gjithë e dimë se sa e vështirë është financiarisht jetesa në Tiranë, sidomos me rrogat minimale që ofrohen. Tani, vetëm për një çast imagjinoni se sa herë më e vështirë është kjo jetesë për një student që zhvendoset në kryeqytet nga një qytet tjetër. Për të mos përmendur tarifat e shkollimit të cilat nuk kanë lidhje me realitetin ekonomik të vendit. Sidomos, nëse studion në Master, duhet të punosh katër muaj për të paguar një vit shkollim. Pavarësisht ndihmës së familjes, është pothuajse e pamundur të përballosh shkollimin dhe jetesën në Tiranë. Zgjidhja që shumëkush mund të sugjerojë është që studentët të punojnë. Edhe unë mund të bie dakord me këtë. Por, detyra kryesore e studentit është studimi, prandaj ai quhet student. Për më tepër, më thoni pak, si mund të punojë një student i cili nuk ka një orar të rregullt mësimor në universitet? Lëndët mësimore zhvillohen atëherë kur në të gjithë godinën e universitetit gjendet ndonjë klasë bosh. Si mund të bësh një aktivitet tjetër në jetën tënde të përditshme kur një ditë mësimi fillon në orën tetë të mëngjesit dhe mbaron në pesë të pasdites, duke mos të lënë as të hash një “sandwich” te fast-foodi përballë shkollës, ndërsa ditën tjetër bën vetëm një orë mësim.

Çfarë cilësie mund të ketë mësimdhënia në një departament ku teoria është e vetmja gjë që ofrohet, dhe nesër kur ti të përballesh me tregun e punës nuk do t’ia kesh idenë nga t’ia fillosh? Atje jashtë të pret puna në praktikë, ndërsa e vetmja gjë që ti do të dish do të jenë disa rreshta të mësuar përmendësh.

Por nuk mbaron me kaq!

Në periudhën më stresuese të studentëve, atëherë kur ata brenda një ore duhet të tregojnë njohuritë e një sezoni, pikërisht në ditën e provimit, ndodhin “skenat e papritura”, pak a shumë si në ata filmat thriller kur në fund të filmit e kupton që deri në atë çast nuk e kishe kuptuar filmin. Historia që përmenda më lart përsëritet. Edhe pse data e provimit, ora, madje dhe auditori janë të përcaktuar, studentët janë përgatitur dhe kanë ardhur në universitet, krejt lehtësisht, pa më të voglën kokëçarje, provimi mund të mos bëhet fare atë ditë. Ju prisni ndonjë arsye të fortë, ndonjë aksident, ndonjë problem me pedagogun apo fakultetin, problem me printimin e tezave të provimit, por jo. Mos u lodhni të gjeni një motiv të tillë! Arsyeja mund të jetë e tipit: nuk gjendet klasë bosh edhe pse sipas programit, çdo gjë ka qenë në rregull. Ndërkohë provimi, ai që për ta mund të jetë thjesht një fjalë goje, por për studentët është puna e një semestri, është nota që vulos të ardhmen e tyre në diplomë, do të shtyhet për një datë tjetër të pacaktuar.

Thonë që komunikimi ndan kafshën nga njeriu, madje shprehjen e famshme të Aristotelit që njeriu është kafshë politike, shumë sociologë të sotëm e interpretojnë si “njeriu është kafshë sociale, komunikuese”. Duke qëndruar te komunikimi në universitet, besoj se çdo student shqiptar është përballur të paktën me një sekretare e cila ende nuk e di kuptimin e fjalës “komunikim”. Kur shkon për të kërkuar një informacion apo për të marrë notën e një provimi, përgatitu mirë. Mirësjellja është term i huaj. Madje mund të ndodhë dhe që atë që po kërkon të mos e marrësh fare, pasi mund të jetë “punë e lodhshme” për sekretaren. Dhe mos harro, asnjëherë mos shko tepër herët, pasi sekretaret në mëngjes kanë gjumin e bukurisë, dhe asnjëherë në orar dreke, pasi ato do të jenë tek kafja përballë shkollës. Ju mund të thoni që notën e provimit mund ta shikoni online në sistem. Ehh, sistemi ka vite që nuk funksionon.

Dhe në përfundim të gjithë kësaj, kuptohet fare thjeshtë pse studentët po protestojnë. Ka edhe nga ata “studentë” të cilët nuk duan t’ia dinë fare për protestën. E para, sepse një pjesë e studentëve nuk e kanë vrarë ende frikën brenda vetes, dhe frikësohen nga presionet e dekanëve apo disa pedagogëve. E dyta, sepse një pjesë e mirë e tyre janë vetëm formalisht studentë, të cilëve do u interesonte vetëm të merrnin atë kartonin e diplomës sa më shpejt që mos të humbisnin pushimet e verës në Jalë. Për ta, një javë pushime në Jalë është më e rëndësishme se vlera e diplomës që do marrin. E treta, ka edhe nga ata “studentë” që kanë marrë udhëzime nga partitë të përçajnë dhe shkatërrojnë protestën. Ata janë më të ethshmit për të mbrojtur interesat e partisë së tyre.

Unë kaq kisha! Tani gjykojeni vetë nëse ja vlen të protestosh apo ta mbyllësh protestën dhe të kthehesh në mësim me bisht ndër shalë duke pranuar nënshtrimin dhe padrejtësitë.