©31 20 Nëntor 2020, 19:48

Ky vit, foli me gjuhën e "Malli"-t nga Kidda përsa i përket muzikës

Ky vit, foli me gjuhën e "Malli"-t nga Kidda përsa i

Nuk ka rëndësi dini ose jo frengjisht, nëse dëgjoni frazën "Je m'appelle Kidda", gjëja e parë që ju shkon në mendje është fjalia tjetër "Zemër ty a t'ka marrë malli" dhe për këtë duhet të bëjmë me "faj" vetëm një njeri. Pikërisht reperin Kidda, i cili me këngën e tij "Malli" ka pushtuar jo vetëm çdo klasifikim shqiptar të muzikës, por edhe radiot apo playslist-at e njerëzve, duke u kthyer kështu në një prej artistëve më të suksesshëm të 2020-ës.

Sigurisht që Kidda nuk është i ri në tregun muzikor shqiptar dhe publikon projekte të rëndësishme prej të paktën 4 vitesh, më i suksesshmi prej tyre bashkëpunimi me Ermal Fejzullahun "Flakë", ku artisti tërhoqi vëmendjen e publikut me stilin e tij. E megjithatë këtë vit ai duket se ka marrë vëmendjen e merituar, fillimisht me anë të  këngës "Loca", që edhe falë aplikacionit "TikTok" mund ta dëgjoje kudo gjatë muajve të karantinës, e më pas me "Malli"-n e tij të famshëm, këngë të cilët e pëlqejnë edhe artistët e tjerë. Ronela Hajati madje e cilësoi si këngën e preferuar në "Pardon my french" në Top Albania Radio.

Nëse do të lexosh biografinë e tij, do kuptosh që përvecse me muzikën, Kidda (emër i artit i ardhur nga familja e tij) është i lidhur edhe me sportin, më saktësisht me boksin dhe me futbollin. Njësoj si në këto dy sporte, ku strategjia më e mirë është studimi i atij që ke përballë dhe sulmi i menjëhershëm, Kidda ka ndjekur të njejtën rrugë edhe në karrierën muzikore, ku ka zgjedhur që të ketë prioritet punën, qëndrimin në qetësi dhe publikimin e hiteve në kohën e duhur, për të sulmuar tregun atëhere kur duhet, me këngë që kthehen menjëherë në hit.

Për t'u përmendur është edhe stili i tij i të kënduarit, ku bie në sy menjëherë fjalori që përdor, një miks i shqipes, anglishtes dhe ndonjëherë gjuhëve të tjera, që fansat e tij e quajnë "Kidd-ish". Mënyra si ai repon, ka evoluar duke ju përshtatur stileve dhe asaj që kërkon tregu, diçka nga e cila mund të mësojnë edhe disa artistë të tjerë.

Jo shumë persona mund të pretendojnë se 2020 ka qenë një vit i mbarë për ta, megjithatë Kidda është njëri prej atyre që mund ta thotë me siguri, me 100 milionë klikime në të gjitha platformat muzikore për këngën "Malli" dhe jo vetëm. Tani ndoshta është koha të na dhurojë një tjetër projekt në mënyrë që t'i vendosë "vulën" këtij viti.

/News31