SPORT 22 Mars 2024, 17:49

Prova e parë e Kombëtares, ndaj Kilit Sylvinho i beson sërish "heronjve" të eleminatoreve!

Prova e parë e Kombëtares, ndaj Kilit Sylvinho i beson sërish

Pas gati katër muajsh, që pas përfundimit të eliminatoreve të "Euro 2024", kombëtarja e Shqipërisë kthehet mbrëmjen e sotme në fushën e lojës. Në orën 20:45 në stadiumin “Ennio Tardini” të Parmës, kuqezinjtë e Sylvinho do të luajnë miqësoren e parë të muajit mars kundër Kilit, që ashtu si ajo e tri ditëve më pas në fushën e Suedisë, është shumë e rëndësishme përpara finaleve të Kampionatit Evropian, si një test për futbollistët tanë.

Shqipëria sigurisht kërkon të ruajë serinë e rezultateve pozitive, ndërsa futbollistët, sidomos të "rinjtë" dhe ata që nuk kanë luajtur rregullist gjatë eleminatorëve. duhet të tregojnë veten për të bindur teknikun brazilian, i cili deri në maj duhet të ketë gati listën e lojtarëve që do të marrë me vete në finalet e Gjermanisë.

Skuadra jonë zhvilloi mëngjesin e sotëm stërvitjene  fundit në stadium, ku duket se janë qartëzuar edhe idetë e trajnerit për skuadrën që do të zbresë në fushë nga minuta e parë kundër Kilit, ndërsa edhe një herë Sylvinho pritet të mos i ndryshojë "besnikët" e tij. 

Kështu, me vetëm dy "prekje" të detyrueshme, trajneri do t’i besojë formacionin kryesisht atyre që dhanë kontributin më të madh në eliminatoret e fundit, por me Berishën që vuan një lëndim muskular, në portë do të luajë Strakosha, ndërsa përpara tij në mbrojtje do të rreshtohen Hysaj e Mitaj në krahë dhe në qendër Gjimshiti e Mihaj, me këtë të fundit që merr vendin e Ismajlit të dëmtuar.

Nuk ndryshojnë repartet e tjerë dhe as moduli. Asllani dhe Ramadani nisen në mesfushë. Fantazia i besohet Bajramit, që bashkë me Asanin e Seferin në krahë do të ndihmojnë Cikalleshin në majën e sulmit. Por duke qenë në miqësore, të gjithë futbollistët do të kenë shansin e tyre për të treguar veten, ndërsa pritet rikthimi në fushë me kombëtaren për Brojën dhe Manaj.

/News31