Iu përgjigj provokimeve serbe/ Federata e Serbisë kërkon heqjen e akreditimit për Arlind Sadikun, gazetari: Nuk pendohem…
Federata e Futbollit të Serbisë (FFS) ka kërkuar nga shërbimi mediatik i Bashkimit Evropian të Futbollit (UEFA) dënimin dhe heqjen e akreditimit të gazetarit kosovar sepse i “provokoi tifozët serbë”.
Gazetari Arlind Sadiku, në një transmetim të drejtpërdrejtë para ndeshjes së mbrëmshme mes Anglisë dhe Serbisë, ka bërë me duar shqiponjën dykrenare para tifozëve serbë.
Zëdhënësi i FFS-së, Millan Vukoviç i dërgoi një notë proteste UEFA-s duke kërkuar që gazetari të dënohet, si dhe kompania mediatike që ai përfaqëson.
“Pas ndeshjes me Anglinë i kam ndjekur raportet dhe kam hasur në këtë. Kërkoj reagim të menjëhershëm nga ana juaj, që të respektohen rregullat për pezullimin e akreditimit të “të ashtuquajturit” gazetar. Ai ofendoi Serbinë, tifozët serbë, poshtëroi përfaqësuesit e UEFA-s dhe mediave. E vetmja gjë që është e drejtë që ky njeri dhe mediat e tij duhet të dënohen ashpër.
Shpresoj për përgjigjen dhe reagimin e juaj sa më parë. Mund ta shikoni videon me veprimin e aktit të turpshëm dhe joprofesional në terren nga një gazetar, nëse mund ta quani kështu, i cili është e akredituar nga UEFA.
Provokimi në nivel kombëtar është aq i qartë sa nuk kam pse të shpjegoj pse po e dërgoj këtë email”, ka shkruar Millan Vukoviç. Por ky i fundit duket se ka “harruar” banerin në të cilin figuron harta e Kosovës e mbuluar me flamurin e Serbisë, të cilin e kishit vendosur tifozët serbë në mes të stadiumit.
Në anën tjetër, gazetari Arlind Sadiku, në reagimin e tij shprehet se nuk pendohet për gjestin.
Ai ka thënë se ndihet krenar që është shqiptar dhe se gjestin e ka kryer nën afektin e thirrjeve raciste të tifozëve serbë.
“Po, u informova sepse vazhdimisht po më vijnë mesazhe nga kolegë ose nga njerëz të thjeshtë që po më shkruajnë, por unë jam shëndosh e mirë fatmirësisht. Ta theksoj që në pozicionin tim ku isha dje në stadium, kemi qenë të vendosur nga UEFA. Reagimi erdhi natyrisht nga thirrjet e vazhdueshme raciste të serbëve ‘Kosova është Serbi’ dhe të jesh aty dy metra larg nuk ke sesi të mos ndikohesh. Asnjëherë nuk bëhem pishman, sepse unë jam krenar që jam shqiptar. Duhet të ndodhë diçka që të ndalen këto thirrje raciste”, tha fillimisht ai.
Ai e quajti gjestin që bëri dje si “një nga më të mirët që e ka bërë ndonjëherë në sport”.
“Nuk pendohem dhe gjithmonë do ta kujtoj si një nga gjestet më të mira që kam bërë ndonjëherë në sport. Këto janë fjalët të zemrës që po i them. Ejani provojeni të jeni në mes të 20 mijë serbëve dhe tentoni të ndiheni të paprovokuar nga ato thirrje”, tha Sadiku.