Për studentët që “duartrokasin” dhe pastaj nisen drejt Gjermanisë


Me siguri që e keni e ndeshur kudo në rrjet ditën e djeshme, momentin kur kryeminsitrit Rama i ndërpritet fjala në ceremoninë e diplomimit të Fakultetit të Mjekësise nga dy studentë. Nëse jo, ja ku e keni për një sy të shpejtë.
Ka shumë për të komentuar në lidhje me këtë “protestë” që zgjati pak, që nga fakti se cilët ishin të rinjtë që ju kundërvunë fjalës së kryeministrit, organizatës që i përkasin, pse zgjodhën pikërisht ceremoninë e diplomimit (që për mua ishte një simbolikë e mirë menduar), gjendjen e mjekësisë në vendin tonë e të tjera. Megjithatë unë tani kam zgjedhur të mos shkruaj për asnjërën nga to, ndoshta në një tjetër moment, por të komentoj atë që më bëri më shumë përshtypje në këtë video, duartrokitjet e studentëve pasivë.
Ndërsa shokët e tyre ishin duke kundërshtuar kryeministrin dhe po merreshin nga truprojat e tij, askush në publik nuk denjoi të ngrinte as prapanicën për të kundërshtuar veprimin prej së largu ose t’i bashkoheshin kauzës dhe të largoheshin nga salla. Minimumi! Pikërisht mos reagimi i këtyre studentëve, kuptohet jo në shkolllë sepse kam qenë vetë në atë mjedis dhe e di sa mësojnë dhe sakrifikojnë, por me atë që përballen në të përditshmen, është një prej përgjegjësve të gjendjes ku ndodhet fakulteti i tyre, mjekësia shqiptare dhe ndoshta arsyeja kryesore pse zgjedhin në fund të largohen drejt Gjermanisë.
Parrullat e studentëve drejt Ramës si: “Diploma e mjekësisë këtu është bileta që studentët paguajnë të shkojnë drejt Gjermanisë”, janë të vërteta dhe sado që kryeministri mund të ketë argumenta kundër tyre, faktet janë kokforta, doktorët e ardhshëm kanë në shumicë synimin për tu larguar drejt vendeve të Europës. Ajo që më shqetëson është që këta studentë mjekësie, e tashmja dhe e ardhmja e të cilëve do të jetë e dedikuar ndaj njerëzve dhe një profesioni që ka si thelb dhembshurinë dhe shërbimin, nuk menduan për asnjë moment të bëjnë qoftë dhe një thirrje që të ndihmonin shokët e tyre, aq më pak të vepronin vetë. I mbështetën në formën më të lehtë, me një duartrokitje 5-sekondëshe e pastaj vazhduan të qëndrojnë të heshtur sikur asgjë nuk kishte ndodhur. Pasiviteti i tyre për gjërat që vërtetë i përkasin e ku duhet të përfshihen, për të vërtetat fatkeqe që duhen përplasur para kujtdo që ka përgjegjësi, për kërkimin e llogarisë që e kanë të drejtë dhe jo luks, pasohet nga vendimi për të marrë rrugët dhe për të shkuar në Gjermani, që përkundër legjendave që qarkullojnë, nuk i pret vërtetë krahëhapur por i mirëpret nëse punojnë.
Në një vend normal, studentët do ishin në krye të protestave për gjërat që nuk shkojnë, sidomos studentët që më shumë se kushdo kanë studiuar njeriun. Këtu tek ne ata zgjedhin të duartrokasin lehtë, sikur thonë “Po ke të drejtë, e mbështes atë që thua, tani vazhdojmë pak se kam për të shkuar në kurs gjermanishte më vonë”. Do isha shumë frojdjan po të thoja se mungesa e këllqeve të këtyre të rinjve për t’u përballur dhe për të ngritur zërin për gjërat e tyre, për të ardhmen e vetes, përfaqëson në fakt frikën që kanë ata për t’u përballur me realitetin dhe thjesht arratisen…zgjedhin rrugën më të lehtë…janë të dobët? Apo janë frikacakë? Studentët shqiptarë? Jo nuk ka mundësi… S’di të them….
Unë vetëm i imagjinoj pas disa kohësh duke hipur për në avionin që të çon në Gjermani, e teksa shohin tokën që po lenë pas dhe që mund të kishin luftuar për ta bërë vendin që ata dëshironin, duartrokasin...
Nga Leo për News31.al