Nga e gjithë kjo, mësuam që pasi del nga shtëpia mund të vritesh edhe "kot"


Besoj të gjithë kanë lexuar apo janë njohur me rastin e Klodian Rashës, 25-vjeçarit që u vra nga një efektiv i Policisë. Ne s’jemi ekspertë dhe as nuk duam të bëhemi, gjithë informacioni që duhet është në portale, rrjete sociale apo deklarata zyrtare, megjithatë nëse do ta përmblidhnim me një fjalë do ishte: 25-vjeçari Klodian Rasha është vrarë “kot”. Pikërisht kështu.
Ju mund ta kapni këtë histori nga të doni, analizojeni deri në detajin e fundit, quajeni pakujdesi, quajeni neglizhencë, fajtor bëni kë të dëshironi, shani me rob e motra ose dhe lavdëroni, por fakti është që një 25-vjeçar, në ditën e Rinisë humbi jetën “kot”.
Edhe këta që influencojnë, këta artistët për të cilët Black Lives Matter, kur e panë që kërkesa për drejtësi për Klodianin dhe protesta u kthye në “trend”, ju bashkuan kauzës (24 orë me vonesë po s’ka gjë), me ndonjë foto a një copë fjalie të gjetur diku. Edhe këta të bëjnë ç’të duan, fundja as na plas as na kërcet ne atë që thonë. Fakti është që një 25-vjeçar dje u vra “kot”.
Policia është e mbushur me djem e vajza të mirë, korrektë e trima, që sherbimin ndaj popullit e kanë detyrë dhe thirrje të brendshme. Por po kuptojmë që është e mbushur edhe me ata që i vendosin shqelmin në fyt të rinjve që protestojnë paqësisht se ashtu urdhëroi dikush, që rrahin adoleshentë pse dalin fundjavave pa leje, që të arrestojnë edhe pse ligjit thotë që s’munden e që mesa duket të vriskan edhe “kot”. Ja pra që rasti nuk është i izoluar, por i përshkallëzuar dhe që nëse nuk do ndodhte tani, një ditë, pak më vonë, do ndërpriste në mes jetën e një tjetër të riu.
Nëse nuk flasim dhe reagojmë, nesër mund të vritet një tjetër shoku im 25-vjeçar, një 30, 40 a 50-vjeçar, që familja e priste të vinte pasi kishte dalë për kafe a cigare, me ose pa maskë, pas ose para “orës së lejuar”, që nuk i ndaloi një polici ashtu “kot”.
Prandaj mendoj se të gjjthë si jemi, ka ardh momenti që ta nxjerrim kokën nga b*tha dhe të bëjmë diçka, para se të na vije radha të gjithëve, KOT!
Nga Kejvin Kalo /News31