Nga “O Dhurata” te dhurata që nuk ja dhamë Ronela Hajatit, në një fraksion sekonde!

Më lejoni ta nis këtë shkrim duke shprehur respektin tim maksimal për Eneda Tarifën, por tashmë thirrja e saj ikonike në drejtim të Dhuratës, në vështirësi për të folur anglisht teksa bënte intervista për Eurovision-in, më rrinte shumë mirë me këtë shkrim.
Më lejoni po ashtu ta vazhdoj këtë shkrim duke shprehur mos-respektin tim maksimal fillimisht për të gjithë ata qe janë ndjerë të ofenduar nga performanca e Ronelës dje në mbrëmje, marrëzi më të madhe nuk ma kanë zënë sytë dhe veshët, se si një performancë artistike, sado që nuk mund ta pëlqeni, mund t’ju ketë bërë të ndiheni kaq keq. Sepse në fund të ditës, kjo ishte ajo që bëri Ronela, që nga momenti që zbriti si fituese nga skena e Festivalit e deri dje, ka ndërtuar një strategji, ka ngritur një ide dhe ka dhënë një performancë, bazuar në atë që ajo ka menduar se mund të jetë përfqësimi më i mirë në radhë të parë për veten e saj si artiste dhe në radhë të dytë për publikun shqiptar dhe Shqipërinë.
Ajo çka mund të bëjmë ne është patjetër ta ndjekim, duke qenë se për një arsye që nuk do e kuptoj kurrë, Eurovision-i është shumë i rëndësishëm për ne dhe teksa e ndjekim, mund të mendojmë: Sa bukur ë bravo! Ose jo nuk është gjë kjo, mund të ishte më mirë! Shijet muzikore dhe artistike janë personale të gjithësecilit dhe keni të drejtë të pëlqeni ose të mos pëlqeni diçka.
Thënë kjo, nuk keni absolutisht të drejtë të urreni! Po po, të urreni, sepse niveli i komenteve në rrjetet sociale realisht shkon në skajet e urrejtjes. Me fjalë bullizuese për peshën e Ronelës, teksa gjithë ditën bëni hartime që të rrënqethni mishin kundër bullizimit, për veshjen e saj, a thua se do vijë nuse në shtëpinë tuaj dhe u turpërua gjithë fisi nga shalët e saj, për kërcimin dhe performacën, a thua se qëndrimi si statujë në mes të skenës si Ushtari i Panjohur na ka dhënë shumë emocion në të kaluarën nga përfaqësuesit tanë shumë të dashur vitet e kaluara.
Dua të jem i qartë dhe t’ju them që nuk po e mbroj aspak Ronelën, jo për gjë po nuk ka nevojë për mbrojtjen time dhe të askujt, bëri atë që ka thënë që para se të fitonte Festivalin që do bënte, e realizoi qëllimin e saj nga fillimi deri në fund, duke prezantuar veten e saj si një artiste karizmatike, e qeshur, ndryshe, e çuditshme, fundja ashtu siç ka qenë gjithmonë dhe dha një performancë me të cilën Shqiperia nuk ka shkuar kurrë në Eurovision, kjo është pak por e sigurt.
Rezultati ishte ai që pamë të gjithë dhe për këtë për çudinë e të gjithëve u mërzit më shumë publiku i huaj, që nisur nga ato që kam lexuar, e dashuruan gjithçka ajo bëri. Tani kur Ronela ishte e kënaqur me atë që dha, kur përfaqësimi i Shqipërisë ishte më në fund me një strategji dhe një qëllim si asnjëherë më parë, kur njerëzit në sallën e Torino-s kënduan bashkë me të, kush mbetën të pakënqurit? Ne.
Po si gjithmonë normalisht. Vetëm se harrojmë, që kur kërkojmë tekst të bukur në këngët që çojmë, kemi pasur Elhaida Danin, që edhe atë e kemi “urryer”, kur kërkojmë supër zë, kemi pasur Eugent Bushpepën, që edhe atë në fund e lamë në baltë më përkrahjen, kur kërkojmë këngë të denjë për Shqipërinë tonë të dashur që nuk ka lënë njeri pa e vedhur e përdhunuar, kemi pasur Jonida Maliqin me një nga këngët më të bukura ndonjëherë, edhe prap, edhe me të, gjetëm diçka që nuk shkonte.
Ka një vend dhe një kohë për të gjitha këngët, për të gjitha krijimet dhe këtë vit, në Eurovision ishte koha dhe vendi i Ronelës, së cilës ne nuk i dhamë dhuratën e vetme që mund t’i jepnim, mbështetjen tonë! Madje e çuam nivelin e kritikës në nivel urrejtje për atë që ajo është dhe këtu kalohet një kufi, që nuk na bën më as publik të keq, por njerëz të këqinj. Ronela nuk ka për detyrë të përfaqësojë as dinjitetin, as prirjen seksuale as familjen e asnjërit prej jush, përpos të vetes së saj, me flamurin e vendit ku ka gati dy dekada artiste.
“Ooo Dhurata, si i thuhet po e lej fare këtë shkrim, para se të them ndonjë gjë tjetër që nuk duhet”
Nga: Kejvin Kalo