©31 18 Mars 2019, 00:00

Nuk ka faj vajza e Ermalit & Amit për varfërinë, zhdukjen e pandave apo shkrirjen e akullnajave

Budallallëku nuk ka brirë por sot ka Instagram dhe duke qenë kështu s’mundet kurrsesi që disa fenomene absurde t’i lëmë në heshtje me besimin se ndoshta do të ndreqen vetë. Jo, historia ka treguar që sa më shumë të mos e luftosh injorancën, aq më tepër ajo të sfidon ty. Ndaj, vendosa që ta ndaj me të gjithë ju reflektimin tim mbi një çështje që është e përhapur jo pak tek ne shqiptarët por me kalimin e kohës duket se e ka tejkaluar cakun.

Si zakonisht, po bëja një xhiro të shpejtë në Instagram ku ndër të tjera ndjek edhe personazhe shqiptarë që mua më duken interesantë (sigurisht, kjo është diçka krejt subjektive). Teksa shihja çfarë bëhej vërdallë, ndalova për një çast në postimin e fundit të Ermal Mamaqit. Mbrëmjen e djeshme ai kishte postuar një video të vogëlushes së tij Sia, nga festa e 1-vjetorit të saj, ku tërësisht e çlirët me tortën përapra, e vogla kënaqej duke zhytur hera herës duart në krem, duke ia marrë gjithë shijen ditëlindjes së saj të parë.

 
View this post on Instagram
 

??????

A post shared by Ermal Mamaqi (@ermalmamaqiofficial) on

Menjëherë mendova me vete: “Kaq është dashur për Sian ta festojë dhe ndoshta ky është momenti i vetëm që ka shijuar vërtetë sepse është tepër e vogël për të kuptuar dhuratat, dekoret, menunë e pasur të drekës, pijet apo të ftuarit për të cilët janë kujdesur mami dhe babi”.

E megjithatë, teksa hapa komentet për të parë nëse kishte dhe të tjerë që ishin në një mendje me mua, u hutova krejtësisht ta gjeja veten në minorancë mendimi.

Më poshtë po ju tregoj disa nga komentet që më lanë gojë hapur:

 

 

Seriozisht? Domethënë, e përsëris: SERIOZISHT?!

Vërtetë shqiptari po mendon se torta e Sias së vogël mund ta ndreqte krizën ekonomike, të parandalonte zhdukjen e pandave, të mos shkrinte akullnajat, të gjente kurën e sëmundjeve të këqija të botës? Vërtetë kaq vlerë pati kënaqësia disa-minutëshe e kësaj vogëlusheje me tortën e ditëlindjes së saj, të bërë nga mami dhe babi të cilët KANË PUNËN E TYRE dhe për të cilët shqiptarët NUK PAGUAJNË ASNJË TAKSË?

E para, Ermal Mamaqi dhe Amarda Toska, ndër të tjera kanë qenë gjithmonë shembuj të të punuarit fort për të arritur një jetesë të mirë, të cilën këta të fundit e kanë krijuar e formuar edhe para syve tanë. Duke qenë gjithë kohës në ekran, ne kemi qenë thuajse dëshmitarë të asaj çka ata kanë ndërtuar dhe mund t’i lejojnë sot vetes, fatmirësisht dhe fal punës së tyre, t’i gëzojnë fëmijët. Thënë këtë, Ermali dhe Ami nuk kanë asnjë kusur për ata fëmijë që për fat të keq, nuk janë rritur me të tilla modele prindërimi dhe nuk munden të shijojnë çaste të tilla lumturie.

E dyta, shumë fëmijë e familje në botë nuk kanë mundësi ekonomike dhe me shumë mundësi kjo është diçka që do të jetë gjithnjë prezente, për aq kohë sa nuk jemi të barabartë dhe rrjedhimisht edhe të ardhurat tona nuk janë të tilla. E vërtetë është që shumë prej personave që kanë të ardhura të mira kontribuojnë vazhdimisht duke bërë bamirësi, çështje tërësisht opsionale dhe që mbetet dëshirë personale e gjithkujt. T’i përmendësh Ermalit dhe Amit të bërit bamirësi në vend të të dhuruarit një tortë të tillë për vogëlushen e tyre është një sugjerim sa absurd aq edhe qeshkarak. Si fillim ne nuk jemi fare në dijeni nëse ata bëjnë bamirësi por edhe nëse nuk bëjnë, kjo është një zgjedhje tërësisht vetjake, sepse nuk ma do mendja se bamirësia e tyre gjithsesi, do të zgjidhte përfundimisht hallin e varfërisë në Shqipëri. Janë politikat sociale dhe axhenda politike në përgjithsi ato që udhëheqin ose jo reformat e duhura për të ulur nivelin e varfërisë dhe mesa di unë, as Ami, as Ermali nuk di të kenë ndonjë post politik ku i shërbejnë qytetarëve.

Së treti, ku iku edukata? Po sikur të uronit një herë që vogëlushja të shijonte edhe 100 vite të tjera jetë dhe pastaj t’i “ngecnit në fyt” tortën? Sia 1 vjeçare është thjesht vajza e dy njerzve publik por kjo nuk do të thotë që të abuzojmë hapsirën virtuale për t’ju vërsulur në komente negative, bullëzuese, dashakeqe e t’a njohim me botën tonë të egër që në vitin e saj të parë të jetës. Realisht, kjo e tejkalon çdo ligj, kanun, kod sjelljeje, morali a çfarë dreqin doni ta quani.

Është Shqipëria e varfër? Po shumë. A kanë të gjithë fëmijët mundësi të kenë torta për ditëlindje? Absolutisht jo. A kanë të gjithë fëmijët mundësinë e fëmijëve të Emralit dhe Amit? Sigurisht që jo. A kanë ata ndonjë faj në këtë mes? Kurrë dhe asnjëherë.

Herën tjetër, kur ju duhet të protestoni për varfërinë dhe pamundësinë ekonomike për të pasur një tortë, zini sheshe, stadiume, podiume dhe revoltohuni për çka nuk shkon mirë në këtë vend. Ngrini zërin, ndryshoni politika, kërkoni llogaridhënie nga qeveritarët që paguhen nga xhepi i gjithësecilit prej nesh, por Sian 1 vjeçare dhe të gjithë fëmijët që kanë mundësinë, fatin dhe të drejtën të festojnë ditëlindjet si në ëndrra, lërini të qetë sepse e gjithë kjo ishte vërtetë e tepërt!

*Ky shkrim u realizua nga Lea B. (duke falenderuar për idenë e pseudonimit Enkel Demin, me shpresën se Lea do të jetë e fshehtë pak më gjatë se Tom Kuka)