Njerëzit që të njohin më pak duhet të dinë më shumë për ty Reme
E dashur Reme,
Në këto 10 vite që jemi shoqe të ngushta kjo mund të jetë letra e 100-të që lexon prej meje dhe sërish jam e sigurt se sytë të qeshin njësoj nga lumturia sikur të ishte e para që merr prej meje. Mirëpo, ndonëse sot do të të shkruaj fjalë që t’i i di, vendosa gjithsesi t’i përsëris në ditën tënde të lindjes për dy arsye kryesore. E para, ti meriton të dëgjosh fjalë të bukura (dhe të vërteta) për veten çdo ditë dhe e dyta, vazhdoj të mendoj se përtej modestisë tënde brilante… njerëzit që të njohin më pak, duhet të dinë më shumë për ty. Jo sepse duke ditur më shumë do të të votojnë më shumë, ky s’ka qenë ndonjëherë qëllimi yt kryesor. Por duke të të njohur më shumë, besoj fort që edhe ata do të jenë të prirur të frymëzohen më shumë për veten, njësoj siç më ka ndodhur mua me ty.
Sot je 25 vjeç, e përveç faktit që ky numër na duket shumë i madh kur kujtojmë ëndrrat tona prej adoleshentesh se kur do të bëheshim më në fund të rritura, kur do merrnim patentën, çfarë dege do të fitonim në universitet, etj… ky numër sërish është shumë po shumë i vogël për të të përfaqësuar atë që ti je sot. Unë i di arsyet përse, por sot kam vendosur të ti rrëfej ty dhe të gjithëve që e lexojnë këtë letër.
Unë e di fare mirë Reme, që kur vendose të merreshe me politikë, nuk e pate kurrë qëllim politikën në vetëvete. Politika për ty ishte thjesht një mekanizëm i mirë për të të çuar drejt misionit që t’i ke në jetë: të jesh aty për njerëzit, të zgjidhësh probleme, të sjellësh buzëqeshje, të kuptosh, të bësh të mundur ndryshimin. Unë, sikurse ti, i di mirë të gjitha këto dhe mërzitem, acarohem e madje edhe zhgënjehem shumë kur ata që nuk të njohin, shpesh të shënjestrojnë për çështje absurde, që jo vetëm nuk janë pjesë e udhës tënde, por as nuk kanë për të qenë ndonjëherë. E megjithatë, në gjithë këtë proces, ti mbetesh sërish e qetë, sërish mirëkuptuese. Sa herë të dërgoj ‘screenshot’-e të fjalëve pa kuptim që ‘monstrat me tastierë në dorë’ nuk kursejnë, më përgjigjesh gjithnjë njësoj: “Thjesht nuk e kuptojnë, por s’ka problem. Do mundohem të jem unë më e kuptueshme....”. Nuk shan kurrë askënd, nuk del kurrë nga vetja, nuk iu kthehesh kurrë me të njëjtën monedhë. A kanë maturi të tillë të gjithë 25 vjeçaret?
E nise jetën publike në një moshë delikate, atëherë kur përveç dëshirave për të ndryshuar botën rriten edhe dëshira nga më naivet siç mund të jenë; një xhiro me makinë ku muzika ndizet një ton më lartë se normalja, ku festat me miqtë shtohen, qejfet po ashtu… e megjithatë edhe pse u ule në karrigen e rëndë të parlamentit 22 vjeç, nuk re kurrë “pre” e dëshirës ndoshta natyrale që vjen bashkë me postin, për t’u treguar më e pushtetshme në punët apo qejfet e tjera që siç thash vijnë paralel. Të ngacmoja me shaka (dhe e bëj gjithmonë), nëse mund të kaloj semafore të kuq apo të parkoj çuditshëm kur jam me ty në makinë, ...një model idiot qejfi i trashëguar ndër vite tek shoqëria jonë nga deputetët që këto budallallëqe I kthyen në norma dhe rrjedhimisht, edhe ne modele për tu ndjekur. Jo vetëm që më shoqërojnë syte e tu kur thua “jo të lutem mos e bëj” me një siguri që unë e di mirë të buron nga zemra kur jam me ty në makinë, por më shoqërojnë edhe kur s’jam me ty. Kujdesi jot për të qenë qytetare që rrespekton ligjin, normën, të moralshmen, atë që duhet… jo vetëm që nuk u zbeh me detyrën e deputetes, por përkundrazi, gjetën vatër më të ngrohtë për t’u përsosur. Janë 25 vjeçarët shqiptarë sot, të mundur ta menaxhojnë kështu situatën kur një fije e hollë e ndan rregullsinë me vorbullën e qejfit?
Reme, ti, si pak të rinj në Shqipëri, ke qenë një vajzë me fat. Unë gjithashtu. Miqtë tanë të përbashkët po ashtu. Me fat sepse nuk na janë dashur të kalojmë sfida të mëdha për të siguruar bazat e jetës sepse familjet tona, me punë dhe shumë përkujdesje na e kanë dhënë këtë mundësi. Megjithatë, ti e di mirë se ndër këta pak të rinj me fat, ka shumë që i vënë shkelmin ‘të qenurit me fat’ dhe e kthejnë këtë të mirë në pasojë kryesore për rrjedhë të mbrapsht që i japin jetës. Ti, jo vetëm që nuk u kurseve të jesh mirënjohëse për fatin tënd personal, por e ktheve në sfidë në vetvete ta përmirësosh veten e t’i kthesh në këmbim familjes gjithë dedikimin. Është për mua e frikshme, sesi sensi jot i përkujdesjes nuk njeh kufizime, nuk njeh orare, nuk njeh barriera. Është frymëzuese aq sa dhe sfiduese sesi ti, 25 vjeç, flet me një dashuri e pasion për vendlindjen tënde, që të bën duash t’i marrësh valixhet menjëherë e të shpërngulesh atje. E do Dibrën jo vetëm si vendlindje, por ia do shpirtin, ia do identitetin. Nuk lë vend pa e treguar se je ‘gocë dibrane’ e nuk lodhesh kurrë së mbajturi këtë “status” me aq dinjitet. Kur ju fute politikës, të pyeta sinqerisht: “Po kantidon në Dibër sepse e di që ke votues më shumë?” dhe vazhdon të më përgjigjesh edhe sot me të njëjtën bindje se ti iu fute politikës për Dibrën, për asgjë tjetër dhe nuk e ke vrarë mendjen asnjëherë për strategji votimesh. A mundet çdo 25 vjeçar, t’i futet një fushe të madhe si politika, e të mos e bëjë për interesa vetjake por bruto për interes të shpirtit?
Reme, në një vend ku vlerat që ti ke, pak i mbajnë dhe sepse nuk I mbajnë dot, pak I vlerësojnë… e di dhe jam e bindur se shumë prej atyre që po lexojnë këtë letër do të më cilësojnë patetike, do të mendojnë se janë thjesht lavde që i bëhen dikujt që ke pranë zemrës dhe pak do të besojnë në vërtetësinë e tyre. Por unë prandaj i shkruajta. Për ata pak. Për ata pak që mendojnë se nuk janë të përfaqësuar, për ata pak që mendojnë se vlerat duhet të jënë mbi çdo norm a ligj, për ata pak që mendojnë se drejtësia është çelësi, për ata pak që mendojnë se po, ekzistojnë të tillë modele në politikën tonë që shumë herë i ngjan një cirku (sepse çfarë nuk gjen aty…). Për ata pak, që unë kam sigurinë se do të jenë shumë më shumë nesër. Për ata pak të cilët si ty, janë shpresa e vërtetë e një gjenerate të çuditshme ku vështir ta përcaktosh fund e krye.
Mikesha ime e zemrës, Reme, në këtë 25 vjetor nuk të uroj asgjë veç dëshirës së pastër që kam që të mos ndryshosh kurrë. Të mos lejosh askënd të të ndrydhë pastërtinë që e mbart në vete që në fëmijëri, të mos lejosh askënd të të tregojë se rruga jote është e vështirë në një ‘pyll’ kaotik ku tashmë je pjesë, e të mos lejosh askënd të të heqë nga sytë ndriçimin që ke kur bën mirë, kur dhuron një buzëqeshje, një përqafim apo kur bëhesh modeli I të ardhmes për një vajzë të vogël, që tek ty reflekton ëndrrat e saj.
Unë e di që veprat do të flasin më shumë për ty sesa fjalët, por ti gjithashtu e di sesa shumë ne shqiptarët i duam fjalët. Dhe ka ardhur momenti që shqiptarët të dëgjojnë më shumë fjalë për ty… të treguara nga njeriu që ndoshta të njeh më mirë se kushdo. Në mos qofshin këto që kam shkruar të vërteta, kjo letër është publike. Mund të më gjykojnë për mashtrim kurdoherë. Por në qofshin të vërteta, ashtu siç unë i kam shkruar, ti Reme, do të jesh gjithmonë një nga njerëzit më frymëzues të këtij vendi dhe përtej miqësisë tonë, për këtë dua të të falenderoj. A e bëjnë dot të gjithë 25 vjeçarët këtë? Jo, … por ti po dhe unë jam shumë krenare për ty.
Gëzuar datëlindjen!
Të dua shumë,
Sara.