Mund ta gjykoni për gjithçka Pirro Dhimën por jo pse derdhi lotë për nënën e tij


Kam gjithë këto ditë që lexoj për vdekjen e nënës së Pirro Dhimës dhe një mal me histerizma patetiko-mëmëdhedashëse. Nuk e kuptoj sesi në një rast si ky shumë njerëz marrin përsipër të bëhen shenjtorë, të kulluar, të përkryer që nuk e dh*esin çdo ditë këtë vend, dhe ti turren Pirro Dhimës që derdhi lot për nënën e tij: "Nuk e deshe sa ishte gjallë, mos qaj tani".
Vërtet? Vërtet mendoni se e keni këtë të drejtë vetëm se keni një celular në dorë? Çfarë kuptimi ka të urresh një sportist se mohoi origjinën dhe më pas ta vendosni në mur për t'i gjuajtur me shigjeta pikërisht kur humbi të ëmën.
E morëm vesh, u prekët shumë se tha jam grek po sa Agronër, Petritër, Xhemalër janë bërë Jorgo dhe Spiridhon?
Ç'është mor kjo idjotsi të shash e të mallkosh dikë që tha "nuk jam shqiptar" se po derdh lot për nënën e tij?
E bëri, po! Po ndoshta nuk ndihej shqiptar ashtu si nuk ndihet burre dikush që do të donte të ishte grua. Po këtu nuk flisni se quheni "homofobikë".
Sigurisht që nuk na vjen mirë se sa herë një shqiptar ka sukses kujtohemi për të. Ndoshta në Greqi u ndje më shumë i vlerësuar se në këtë "mëmëdheun" që e betë fjalë kryesore të na prekni telat. Ose edhe thjesht i erdhi në majë të hundës që talenti po i shkonte dëm dhe ashtu e ndjeu të bënte. Ne nuk dimë asgjë pse mohoi Shqipërinë dhe pse nëna e tij zgjodhi të jetonte në Himarë e vetme. Mjaft ndërtuat një skenar absurdi sidomos kur nuk dini asgjë.
Sa nëna shqiptare i kanë fëmijët jashtë, ndoshta edhe në kontinent tjetër dhe nuk i shohin për vite me radhë? Çdo të thotë kjo që fëmijët nuk i duan?
"Ajo nënë nuk të meritonte"- seriozisht? Po ajo nënë lindi e rriti një kampion që kur u bë kampion tha nuk jam shqiptar... Asaj nëne i ndrittë shpirti në paqe se edhe largimin nga kjo botë e pati të trishtë dhe e vetme. Ishte një nënë shqiptare që djali i jetonte jashtë dhe do të na dhimbsej edhe nëse nuk do të ishte nëna e Pirro Dhimës, "antishqiptarit më të madh të të gjitha kohërave".
Me gjithë të këqijat e atij njeriu, nuk mund të mendoni se e donit më shumë ju nënën e tij. Nuk mund të gjykoni nëse lotët e tij ishin të vërtetë apo jo. Nuk mund ta mallkoni e shani pse nuk erdhi ta shihte sa ishte gjalle, sepse kjo është një barrë që do ta mbajë ai mbi supe. Mund ta gjykoni për gjithçka por jo pse derdhi lot për nënën e tij...
Nga: Jonida Alickolli