
Produkti

"Hajde zihemi te emisioni im dhe shkojmë te Arbana"! Mjaft i dhatë hapësirë të dëshpëruarve për vëmendje


Në një kohë kur televizioni në përgjithësi dhe ai i shqiptar në veçanti ka arritur në mos pikën më të ulët, ndër më të ultat, në prodhim dhe kontent (me ca përjashtime të vogla), publikut ende besnik i ekranit të vogël i serviret një shfaqje e shëmtuar në hapsirën që duhet të bënte të lumtur dikë, por në fund, dogji nervat e shumë njerëzve. Po flasim për puntatën e fundit të “Dua të të bëj të lumtur”, një program që në tërësinë e tij pëlqehet shumë nga njerëzit, të paktën ata që shohin ende tv, edhe pse ndonjëherë sjell edhe histori që më shumë bëjnë dëm se sa i sjellin buzëqeshjen dikujt. Gjithsesi, pëlqimet janë subjektive, siç është edhe mendimi i shprehur në këtë artikull, megjithëse në disa raste, sidomos si ky, subjektiviteti i afrohet shumë asaj çka është objektive. Çfarë pamë në këtë emision? Një përballje mes një gazetari/moderatori që do të bëj hard talk me “llafe kafesh”, i cili kishte ftuar mikeshën e tij (?) që s’e ka më mikeshë, e cila quan arritje në jetë daljen në finale të “Big Brother”, por që gjithsesi në këtë farë debati, duket që është ajo e cila ka idetë të qarta. Ah po, edhe një moderatore që bën sikur s’i sheh klikimet...
Kështu, me sa kuptuam, në një intervistë të gazetarit (i thënçin) disa ditë më parë, ai ndër të tjera paska pyetur mikeshën e tij, le ta quajmë “showgirl”, praktikisht nëse ishte eskortë që shkonte në Dubai, me justifikimin se ishte pyetje që e kishte bërë publiku në rrjetet sociale. E para një herë askush nuk pyet nëse dikush është eskortë, ose e dinë ose e hamendësojnë vetë pa pyetur njeri. E dyta, vetëm në televizionet tona mund të pyetet dikush “ a është e vërtetë që je k%rvë” dhe patjetër, vetëm në televizonet tona kundërpërgjigja e kësaj “akuze” është pyetja “po ti a je gay?”, me një ton sikur po e ofendon dikë. Mbi të gjitha, vetëm këtu ndodh që ky debat i stisur dhe i bërë keq, mund të marri hapsirën “prime time” në një tjetër televizion, ku dikush ftohet për t’u bërë i lumur dhe jo për t’i thënë sërish: “Dëgjo se unë ta bëra pyetjen, ndoshta gabova, por prap mendoj se ti je k#rvë. Madje mendoj edhe se nuk ke asnjë kontribut në media, ke bërë seks edhe në Big Brother”. Dua të them….Çfarë dreqin po na serviret në televizion. Seriozisht?
Mjaft i dhatë emisione njerëzve që mendojnë se kamerat e fshehta, klikimet në youtube dhe të ashtuquajturat “skandale” janë gazetari. Jeni duke i rënë shumë në qafë gazetarëve! Nga ana tjetër, mjaft bëtë si të skandalizuar nga pyetjet që ju bëjnë moderatorët që pranoni vetë të shkoni, sidomos kur e dini çfarë niveli injorance ju qëndron përballë. Mjaft e përdorët termin “gay” si ofendin, nëse jeni homofobë, gabim bëni, po të paktën mos e shprehni në ekran. Mjaft më me degradimin e televizionit shqiptar, që dikur ka qenë i vetmi që mblidhte familjet mbrëmjeve dhe në këtë kohë pandemie, kur të gjithë janë në shtëpi, ndoshta mund ta kishte rigjetur vlerën e tij. Dhe pash Zotin, boll morët në studio njerëz që ju bëjnë elozhe dhe vetëm për këtë fakt, i jepni një hapsirë shprehje, edhe pse ndoshta nuk dinë të gjithë shkronjat e alfabetit dhe viktimizohen për çdo molekulë oksigjeni që marrin. Ah po, mjaft më edhe me letrat që jua përkthen stafi nga internet dhe i shisni sikur i shkruajnë njerëzit. Kjo nuk kishte lidhje me temën, por duhet ta thoja.
Boll bëtë çdo idiot të famshëm dhe nëse keni humbur rrugën, ju lutem rigjeni veten, ose hapni rrugën për ata që duan të bëjnë një gjë të saktë. Ju faleminderit!
/News31
S’po e ve emrin se s’kam nerva të më merrni në telefon t’ju shpjegoj arsyet e këtij shkrimi.