Pas deklaratës së ambasadores amerikane, presidenti Ilir Meta flet për marrëdhëniet me ndërkombëtarët
Presidenti Ilir Meta është i ftuar sonte në emisionin “Opinion”, ku ndër të tjera ka folur në lidhje me Reformën në Drejtësi. Po ashtu ai ka folur edhe për rolin e ndërkombëtarëve në vendin tonë. Fillimisht ai foli për një takim që ka pasur me ambasadoren e SHBA në Shqipëri, ku i ka prezantuar një platformë për zgjidhjen e krizës në vendin tonë. Platofrmë për të cilën ende nuk ka marrë asnjë përgjigje dhe nuk i është shprehur asnjë shqetësim.
Po ashtu ai u pyet nga Fevziu nëse ishte "target" i statusit të ambasadores, e cila foli për persona që po punojnë pas krahëve për të mos e realizuar Reformën në Drejtësi.
Meta u përgjigj: "Nuk mund të jem target i askujt sepse jam Presidenti i vendit. Nuk mund të ketë një Ambasadore target mbi një president se ky është një problem tjetër. Nuk është Ilir Meta target i askujt. Një gjë ta kesh të qartë ti dhe kushdo. Nuk lejoj më të tallet njeri me atë reformë që e katandisën në atë formë."
Gjithashtu presidenti Meta publikoi në emision mesazhin e një diplomati të huaj, që sipas tij, e ka nisur në emër të zyrave të BE-ës dhe SHBA. Në këtë mesazh, tregohen diskutimet që bëhen jashtë syrit të medias në lidhje me kandidatët në sistemin e drejtësisë.
Meta i komentoi kështu mesazhet:
“Ky mesazhi këtu është për të kuptuar se si punojnë disa ndërkombëtarë në Tiranë për Reformën në Drejtësi. Ky është një diplomat korrekt dhe ka qenë në takimin që kemi bërë. Ai e ka nisur këtë në emër të ambasadës amerikane dhe ambasadës së BE. Mirmëngjes Beni thotë. I takova kolegët e mi amerikane dhe të BE dhe folëm më Ramën në telefon dhe nuk e mbështesin pozicionin e presidentit për pezullimin. Këtë nuk ma thanë në takimin që patëm një natë më parë. Ata besojnë që Arta Vorpsi tani është caktuar si rezultat i mekanizmit zhbllokues dhe ata do të dalin sot publikisht dhe kemi rënë dakord që mos i bjerë të fikët presidentit. Rama megjithatë ra dakord që Marsida Xhaferllari të jetë në listën e presidentit për nominim për tjetrën. Dhe Rama nuk do përpiqet të bllokojë këtë. Pra, është Rama që i bllokon dhe jo KED që i infiltron kandidatët. Ky është mesazhi i një diplomati që ishte në takim në darkë. Por, ky është një qëndrim i turpshëm, anti-kushtetues. Nuk janë lojërat e Amerikës sepse Amerika është shumë e madhe. Janë lojërat e disa ekspertëve këtu."
Nga ana tjetër ai foli edhe për ndërkombëtarë që sipas tij janë palë me kryeministrin Rama.
"Ndërkombëtarët nuk ma vënë dot mua gishtin. Atyre ndërkombëtarëve që janë bërë palë me Edi Ramën ua kam vënë gishtin sy më sy. Nëse ke ndonjë ndërkombëtar që ka këtë mendim ma sill mua këtu. Unë jam Presidenti i Republikës, nuk merrem me llafe dhe thashetheme, por për hir të transparencës m’i sill këtu. Ndërkombëtarët e Ramës me këto punë do merren, unë punoj me letra jam serioz. Ata që janë të Ramës punojnë për Ramën"- tha Meta
/News31.al