“Zoti është grua". HerWell, platforma më e re që do të transformojë tregun e Wellness

HerWell është shumë më tepër sesa një platformë kushtuar shëndetit. Është një filozofi jetese. Është mirëqenia që shkon përtej ilaçeve të farmacisë, përtej analizave rutinë dhe vizitave te mjeku. Është ajo ndjesia e qetë që nuk duket, por reflektohet në energjinë, buzëqeshjen dhe dritën e një njeriu që ndihet mirë me veten.
Nuk është rastësi që slogani ynë është "Jeta Nis Me Ty". Sepse, ndërsa njeriu ka evoluar ndër vite, ka evoluar edhe mënyra se si ai e koncepton shëndetin. Sot, të jetosh shëndetshëm nuk do të thotë vetëm të kurosh sëmundjen, por të investosh çdo ditë tek vetja, përpara se problemet të shfaqen.
Mirëqenia është zgjedhja për të mos i shtyrë kontrollet mjekësore për nesër. Është vendimi për të parandaluar, jo vetëm për të trajtuar. Është aftësia për të shijuar kënaqësitë e vogla të jetës pa ndjenja faji dhe për të zgjuar çdo mëngjes energjinë që na shtyn drejt ëndrrave dhe objektivave tona.
Në eventin inagurues të platformës, mbi 150 të ftuar nga bota e shëndetit, bukurisë, mirëqenies, kujdesit për veten, modës, medias dhe rrjeteve sociale u bënë bashkë për të përshëndetur lindjen e një prej platformave më të reja digjitale në trojet shqiptare. Një hapësirë e krijuar për të promovuar gjithçka që e bën jetën më të bukur, më të shëndetshme dhe më të ndërgjegjshme.
Pas HerWell qëndrojnë dy gra që kanë ndërtuar karrierat e tyre duke krijuar vlerë, duke frymëzuar dhe duke komunikuar me publikun.
Rafaela Rica, themeluese e Iceberg Group, prej më shumë se 25 vitesh është emër i lidhur ngushtë me organizimin e eventeve dhe realizimin e projekteve që mbajnë vulën e cilësisë dhe perfeksionit. Nëse qyteti juaj shkëlqen gjatë festave kombëtare apo fundvitit, ka shumë gjasa që dekoret mbresëlënëse të jenë fryt i vizionit të saj, një ëndërr që nisi kur Rafaela ishte në të 20-tat e saj. Për të, HerWell është vazhdimësia natyrale e këtij vizioni: një projekt që synon të krijojë ndikim pozitiv në jetën e njerëzve.
"Kjo platformë shkon përtej të qënurit inovative, do jetë një platformë ku të gjitha bashkë ne do gjejmë vendin për të treguar historitë tona, për të shpërndarë mesazhin e bizneseve të indsutrisë dhe pë të gjetur zgjidhje për ato probleme që ju shqetësojnë në lidhje me shëndetin dhe mirëqënien. Shumica më kanë pyetur a është HerWell edhe klinikë. Përgjigja është JO, ne nuk jemi klinikë, ato i keni ju. Ne jemi një media digjitale brenda “Iceberg Communication”, dhe ne duam të bëjmë atë që dimë më mirë, eventet. Kjo platformë do ndërtojë edhe evente, por edhe një tjetër lloj komunikimi. Shumë veta më kanë pyetur pse HerWell, pse e kufizon tek vajzat, po për mua ky është vokacioni kryesor që kur kam nisur biznesin. Unë gjithmonë jam marrë shumë me mëbshtetjen e grave në sipërmarrje, vazjave të reja dhe duam shumë që t’i nxisim edhe më tej për të arritur ëndrrat e tyre.”
Në krah të saj është Santana Çomora, emër tashmë i njohur në botën e medias dhe komunikimit. Themeluese dhe kryeredaktore e revistës Living Albania, një prej publikimeve më të suksesshme shqiptare, e cila më pas u shndërrua edhe në një kanal televiziv të dedikuar stilit të jetesës. Për vite me radhë ajo ka promovuar artin e të jetuarit bukur, ndërsa së fundmi ka sjellë podkastin "Për Veten", një projekt që pasqyron në mënyrë të përkryer filozofinë e HerWell: të vendosësh veten në qendër të kujdesit dhe të mirëqenies.
"U bëmë një muaj që kemi dalë me një portal nga ku mund të na ndiqni për këshillat më të fundit. Kemi informacione shumë shkencore, por të ardhura në gjuhë njerëzore. Shumica prej jush më njihni si gazetare apo redaktore e shumë publikimeve të tjera. Mendoj që sot duhet të më njihni si Santa e HerWell-it. Le të fillojmë të ndjehemi sa më mirë me veten dhe ta dëgjojmë sa më shumë trupin tonë. Që pas Covid fokusi kryesor kaloi tek shëndeti dhe gjithçka vërtitej rreth saj. Të paktën kjo ishte ajo që ne kuptuam dhe prandaj sot kemi sjellë për ju këtë hapësirë që të ndihmojmë vajzat dhe gratë për të arritur objektivat e tyre.”
HerWell lindi nga një nevojë reale: nevoja për të krijuar një zë të besueshëm në mes të kakofonisë së informacionit që qarkullon çdo ditë në rrjetet sociale. Një vend ku gratë, por jo vetëm, mund të gjejnë këshilla të bazuara në ekspertizë, produkte të përzgjedhura me kujdes dhe informacione që ndikojnë realisht në cilësinë e jetës së tyre.
Vizioni ynë është i thjeshtë, por ambicioz. Ne besojmë se shëndeti nuk duhet të kufizohet në një vizitë vjetore te mjeku. Ai është rezultat i zgjedhjeve të vogla që bëjmë çdo ditë: si ushqehemi, si pushojmë, si kujdesemi për trupin, mendjen dhe emocionet tona.
HerWell synon të jetë pikërisht ai udhëtim i përditshëm drejt një jete më të ekuilibruar, më të shëndetshme dhe më të lumtur. Sepse, në fund të fundit, çdo ndryshim i madh fillon nga një vendim i vogël.