Nxitja e inovacionit dhe fuqizimi i liderëve të së nesërmes, One Albania dhe Instituti Kanadez i Teknologjisë nisin bashkëpunimin
Fuqizimi i gjeneratës së ardhshme të atyre që do të nxisin inovacionin, duke kontribuuar në zhvillimin socio-ekonomik të Shqipërisë, është në fokus të liderit të telekomunikacionit One Albania. Në një kohë kur nevoja për profesionistë në fushën e teknologjisë dhe biznesit është përherë e më e lartë, One Albania ka zyrtarizuar një partneritet të rëndësishëm me Institutin Kanadez të Teknologjisë (CIT), nëpërmjet një Memorandumi Mirëkuptimi që fuqizon lidhjen midis biznesit, industrisë dhe akademisë.
Memorandumi i Mirëkuptimit, i nënshkruar nga Rektori i Institutit Kanadez të Teknologjisë, Prof. Dr. Ismail Kocayusufoglu dhe Drejtorit Ekzekutiv të One Albania, Brano Djurovic, fokusohet në nxitjen e shkëmbimit të njohurive, zhvillimin teknologjik dhe krijimin e mundësive për studentët që të fitojnë njohuri dhe përvojë.
Studentët e CIT-it do të përfitojnë praktika në industrinë e telekomunikacionit, si dhe mentorim nga profesionistë me përvojë të One Albania-s. Marrëveshja gjithashtu lehtëson vizitat edukative në ambientet e kompanisë si dhe ofrimin e leksioneve të hapura nga drejtues të saj, për t’i pajisur studentët me njohuri unike në fushën e biznesit.
Nëpërmjet këtij bashkëpunimi, One Albania dhe Instituti Kanadez i Teknologjisë synojnë të përmirësojnë peizazhin arsimor në Shqipëri, duke kombinuar njohuritë akademike me ekspertizën e One Albania në telekomunikacion dhe teknologji.
Me prezantimin e programeve të reja nga CIT, të tilla si: Inxhinieria Robotike dhe Mekatronike, Rrjetet dhe Siguria Kibernetike, Inteligjenca Artificiale dhe Shkenca e të Dhënave, ky bashkëpunim vjen në një moment ideal për t'u ofruar studentëve aftësitë edhe përvojën e kërkuar në një botë që rend përherë e më tepër drejt digjitalizimit.