LIFESTYLE 27 Shkurt 2024, 15:51

“Gruaja e ngrënshme” – një akuzë ndaj shoqërisë së sotme patriarkale

“Gruaja e ngrënshme” – një akuzë ndaj

Nga autorja e “Rrëfenjës së shërbëtores” dhe “Testamentet”, Margaret Atwood, vjen romani i saj i parë, “Gruaja e ngrënshme”, botuar më 1969. Ai është njëkohësisht një satirë therëse dhe zbavitëse e konsumizmit dhe një eksplorim marramendës i kanibalizmit emocional.

Marianë MekAlpin është një vajzë e miredukuar dhe e arsimuar, jeton në Toronto dhe është e fejuar me një avokat me të ardhme premtuese. Punon në një ndërmarrje që merret me hulumtimin e tregut, ku në pozicionet drejtuese janë të gjithë burra. Ndonëse është vajzë ambicioze, sërish kërkon të jetë “normale”, ndaj vendos të plotësojë kërkesat e të fejuarit dhe të shoqërisë dhe pret të martohet me shpresën se martesa do t’ia japë vendin që meriton. Kthesa e papritur ndodh kur njihet me Dankenin, i cili i shpërfill të gjitha rregullat shoqërore dhe, ndryshe nga Mariana, është i vendosur të shprehë gjithë individualitetin e vet. Rebelimi i vajzës nis pavetëdijshëm nga vetë trupi i saj, i cili fillon të refuzojë ushqimin: në krye mishin, pastaj vezët, perimet, ëmbëlsirat, farat e kungullit... çdo gjë. Përveçse nuk fut gjë në gojë, ajo ndien se po e hanë. Mariana do të donte të ndihej e tretur nga pasioni, por gjithçka ndien është... konsumimi ditë pas dite. Personaliteti i saj, i mbajtur nën fre për një kohë të gjatë, shpërthen në një varg sjelljesh të çuditshme dhe të pahijshme, duke ndryshuar përgjithmonë rutinën e saj të qëndrueshme e të qetë. Përmes ushqimit dhe të ngrënit, Atwood tregon rebelimin e gruas ndaj një shoqërie moderne dhe të dominuar nga meshkujt.

“Gruaja e ngrënshme” është romani i parë i Margaret Atwood-it dhe përmban të gjitha temat që autorja do të zhvillonte në veprat e tjera. Ajo na paraqitet si një vëzhguese e hollë e absurditeteve që vijnë nga konformizmi.

“Gruaja e ngrënshme” është një vepër brilante dhe e fuqishme, e mbushur me ironi dhe metafora, një kryevepër e paharrueshme shkruar nga një mjeshtre e vërtetë e letërsisë bashkëkohore.

Mbi autoren

Margaret Atwood, vepra e së cilës është botuar në mbi dyzet e pesë vende, është autorja e më shumë se pesëdhjetë librave në prozë, poezi, ese kritike, si dhe romanesh grafike.

Botime Pegi ka sjellë “Vrasësi i verbër”, “Oriksi dhe Krejku”, “Kënga e Penelopës”, “Rrëfenja e shërbëtores” dhe “Testamentet”, që fitoi zemrën e lexuesve të shumtë nëpër botë dhe u kthye sakaq në një bestseller.

Botimi i këtij libri u realizua me mbështetjen financiare të Canada Council for the Arts.

/News31