©31 26 Mars 2021, 16:39

Kisha menduar se njerëz të tillë nuk ekzistonin...Unë dua të jem si Arjani!

Kisha menduar se njerëz të tillë nuk ekzistonin...Unë dua

Me siguri deri më tani keni lexuar apo dëgjuar për zjarrin e tmerrshëm që përfshiu një prej magazinave të një qendre tregtare në Tiranë, ku ende, pas gati dy ditësh, luftohet me flakët, temperaturat e larta dhe helmet që çlirohen nga vatrat e tragjedisë. Përtej shkakut të zjarrit, përgjigjes së forcave zjarrëfikëse dhe emergjencës, nga kjo ngjarje e rëndë dua të shkëpus historinë që duket sikur vjen nga librat a filmat me superheronj, atë të shefit të sigurisë së qendrës tregtare, Arjan Sala. Që në momentet e para kur u raportua për atë që po ndodhte, mediat dhe dëshmitarët vunë theksin tek gjesti i 33-vjeçarit, i cili sapo kishte parë flakët, kishte shpëtuar mbi 20 punëtorët që gjendeshin në magazinë duke i nxjerrë jashtë, ndërsa vetë nuk mundi të dalë. Sot, pas më shumë se 40 orësh, trupi i tij ende nuk është gjetur. Mes fjalëve të familjarëve të tij që kërkojnë më shumë impenjim, që të paktën kujtimi i tij të nderohet si duhet dhe atyre të njerëzve tē zakonshëm në rrjetet sociale që shprehin vlerësimin për heroin e “Casa Italia”-s, edhe unë do doja të thoja diçka.

Në fillim mendova të shkruaj: “Unë jam Arjani”, duke treguar kështu solidarizimin tim me aktin e tij heroik, gjë që bëhet rëndom sa herë ka ngjarje të tilla. Megjithatë u mendova pak dhe arrita në përfundimin se unë nuk mund të jem Arjani...Kisha menduar se njerëz të tillë nuk ekzistonin. Patjetër, çdo njeri mund të bëj heroizma të vogla çdo ditë, për një pjestar të familjes apo për dikë që e ndihmon në rrugë. Megjithatë, të kapur nga vrulli i përditshëm, shumica prej nesh janë aq të humbur pas punës dhe orareve, sa shpesh jemi shumë të zënë ta ngremë shikim përtej hundës tonë, qoftë dhe për të menduar për dikë tjetër. Pastaj kemi dikë si Arjani, i cili u ngrit mbi atë që bënte çdo ditë, me shumë gjasë përkundrejt një page minimale dhe për asnjë moment nuk e vuri në dyshim atë që duhet të bënte: Të shpëtonte jetën e të tjerëve. Me siguri edhe të dikujt që më shumë se një herë as nuk e ka përshëndetur, duke ditur sa të sjellshëm jemi ne në përgjithësi me “rojet”.

Të rrethuar këto ditë nga lajmet e fushatës që nuk vlejnë një lek, nga historitë e luftave tregtare të vaksinave dhe nga skandalet e panevojshme që s’i hyjnë në punë as dreqit, Arjani, babai i një djali të vogël, me profesion shefi i sigurisë në një qendër tregtare në periferi të Tiranës, na tregoi se heronjtë nuk ekzistojnë vetëm në faqet e librave apo në ekranet e kinemave. Me guximin e tij të pashembullt, i riu na dha njê shembull të gjithëve, në mos të veprojmë, të ndalojmë dhe të mendojmë për një moment: Sa herë kemi bërë atë që duhet? ose A është kjo më e mira që mund të bëjmë? Sa pak që mendojmë...E andaj minimumi i asaj që mund të bëjmë është të respektojmë kujtimin e tij, të gjithë ne, qoftë edhe me një fjalë. Ndërsa unë e gjeta se çfarë dua të them: “Unë dua të jem si Arjani.”

/News31

Nga Kejvin Kalo