©31 12 Tetor 2020, 19:44

Historia frymëzuese e Ervis Nallbanit, balerinit shqiptar që jep mësime për njerëzit me aftësi ndryshe në Amerikë

Kjo periudhë, kur situata na ka bërë që të kemi nevojë më shumë se kurrë për njerëzit profesionistë, na ka njohur me shqiptarë të jashtëzakonshëm që edhe pse studiojnë, jetojnë dhe punojnë larg vendit të tyre, ja kanë dalë që të realizojnë gjëra të rëndësishme. I tillë është edhe rasti i Ervis Nallbanit, baleriniit i cili pas ndërtoi një karrierë në Shqipëri në nivele më të larta, tashmë vendos një shembull as më shumë e as më pak, por në Amerikë, ku jep mësime për njerëzit me aftësi ndryshe.

Ervis Nallbani i ka prekur që herët skenat më të rëndësishme të baletit në Shqipëri, duke performuar jo vetëm në shfaqje të mëdha të Teatrit së Operas dhe Baletit si primobalerin për 20 vite, por edhe në televizonet kombëtarë në spektake të ndryshme.

Ndërkohë gjatë dy viteve të fundit ai ndodhet në SHBA, ku e ka zhvilluar profesionin e tij edhe më tej, duke marrë pjesë në kompeticione të “ballroom” apo kërcimit latin dhe duke ndjekur trajnime si koregoraf në New York City. Gjatë kësaj kohe ai ka nisur të japë edhe mësim, ku përveç klasave online, që gjatë muajve të fundit janë bërë pjesë e pandashme e atyre që duan të mësojnë, Nallbani është angazhuar me disa studentë tepër specialë. Ai ka nisur të japë mësime kërcimi për njerëzit me aftësi të kufizuara.

Kjo nisëm e tij është vetëm për një qëllim, të ndihmojë komunitetin ku ai bën pjesë në SHBA, veçanërisht njerëzit e pamundur, që kanë një problem fizik apo aftësi ndryshe, por që kanë dëshirë të mësojnë të kërcejnë. Kurset që ai bën për ta janë pa pagesë, por ku Ervisi jep të njejtin dedikim si kudo dhe me siguri merr mbrapsht rezultate të shkëlqyra.

Sigurisht në këtë kohë pandemie profesionistët që na vijnë në mendje të parët janë mjekët dhe ekspertët e shëndetësisë, megjithatë çdo kohë është e duhura për dikë që do të bëjë diçka frymëzuese. Për më tepër kur e mendon se sa e vështirë mund të kenë qenë kjo periudhë për njerëzit me aftësi ndryshe dhe ndoshta ato orët që kërcejnë janë gjithçka që i duhet për t’u ndjerë pak më mirë.

E për Ervisin nuk ka rëndësi ku është, në skenën e TKOB-së me profesionistë, në një shfaqje me spektatorë të huaj që ndjekin çdo lëvizje, apo në një palestër në SHBA ku po mëson dikë si të kërcejë, ai gjithmonë do të bëjë atë që di të bëjë më mirë, të japë maksimumin në punën e tij.

/News31