NEWS 29 Qershor 2026, 13:07

Vrasja e Martin Canit/ Gjykata e Apelit rikthen çështjen për shqyrtim! Kërkon ekspertize psikologjike për Mario Përlleshaj

Vrasja e Martin Canit/ Gjykata e Apelit rikthen çështjen për

Gjykata e Apelit ka vendosur të rikthejë për shqyrtim çështjen e vrasjes së të miturit Martin Cani, teksa ka urdhëruar kryerjen e një ekspertize psikologjike për autorin e vrasjes, Mario Përlleshaj dhe të plagosurin Luis Meçja. Vendimi i gjykatës ka caktuar dy psikologe, të cilat do të hartojnë raportet përkatëse pas takimeve me të miturit e përfshirë në çështje. Ky vendimi do të jetë pjesë e rivlerësimit të gjendjes psikologjike pë të përcaktuar rrethanat e ngjarjes.

Seanca e ardhshme do të mbahet më 1 korrik, kur pritet të shfaqen përfundimet e ekspertizës psikologjike dhe të vijojë shqyrtimi i ngjarjes, ndërkohë që autori është dënuar me 16 vite heqje lirie.

Martin Cani humbi jetën mesditën e 18 tetorit pasi u qëllua me thikë në bark nga bashkëmoshatari i tij, Mario Përlleshaj. Ngjarja e rëndë ka ndodhur pas një konflikti mes dy të miturve që ka degraduar në përdorimin e thikës. Mario Përlleshaj dyshohet se ka qenë në klasë paralele me viktimën, në shkollën 9-vjeçare ‘Fan Noli’. Konflikti mes të miturve raportohet se ka nisur në oborrin e shkollës, ndërsa ka agravuar jashtë ambienteve të saj.

Autori ka nxjerrë thikën dhe ka qëlluar mbi 14-vjeçarin, Martin Cani. Pasi është goditur me thikë, Cani është afruar tek shkolla, ka ecur disa metra dhe pasi ka nisur të humbë gjak, është rrëzuar në trotuarin para shkollës. Si pasojë e plagëve të marra, Cani ka ndërruar jetë në spital. I plagosur nga ky sherr ka mbetur edhe shoku i ngushtë i viktimës, Luis Meçja i cili nuk mësonte në të njëjtën shkollë me to, po stërviteshin në të njëtin klub futbolli. I plagosur mbeti edhe vetë autori, i cili mori dëmtime në dorë dhe u trajtua në spital privat për disa ditë pas ngjarjes së rëndë.