OPINIONS 18 Maj 2020, 00:00

Ishte viti 2013, ai i "21 janarit" dhe Dr. Florit "Zemërthyer". A ka ndryshuar gjë nga ajo kohë?

Ishte 2013-ta, kur Dr. Flori publikoi "Zemërthyer". Një këngë e cila asnjëherë nuk mori vëmendjen e duhur, madje u hoq edhe nga youtube një periudhë derisa dikujt i ra ndërmend ta hidhte prapë. Një dedikim i trishtë, për qeverisjen e asokohe ndoshta edhe aktuale, që në pak vargje shpërfaq realitetin vendas. Me vëmendjen kushtuar "21 janarit", Dr. Flori u shpreh mes fjalëve:

"Lëpin aty ku folën, Shkelën mbi parime, Këtu ka vetëm pazare, Nuk ka më qëllime..."

Një tekst, që sot pas 7 vitesh, duket sikur është shkruar për atë çka pamë dje, e për atë që do të shohim në gjithë vitet në vijim. Një gërmadhë historie, si shumë gërmadha të tjera, që tashmë mbeten thjesht kujtime në foto e video.

Sot, u zgjuam pa Teatrin Kombëtar. Sot, Dr. Florin e kujtojmë po aq "Zemërthyer" sa kënga e tij. Sot, ashtu si në vargje, shumë shqiptarë ndihen "të papërfaqësuar, të parealizuar, të nënvlerësuar".

Sot, shumë thirrje po shkojnë "për një fund me dhimbje", që t'i japin fund "një dhimbjeje të pafund". Sot, Dr. Flori na kujtoi se asgjë nuk ka ndryshuar, për ata që besonin se këtu, në vendin ku u lindëm dhe rritëm, do të ndizej një dritë shprese.

Sot, me zemër të thyer këndojmë me Dr. Florin... /News31.al

https://m.youtube.com/watch?v=wcE0U80E7yY