Doja të bëja një lajm, po "VIP"-sat tanë nuk bëjnë asgjë...


Doja të bëja një lajm ndryshe sot, po s’po e bëj fare, jo se përtoj të shkruaj, le t’i themi gjërat ashtu siç janë, por nuk kam çfarë të bëj. “Si nuk ke çfarë të bësh?”- do thoni ju- "Këtu në vendin tonë ndodhin lloj lloj çudirash çdo ditë, ke material sa të duash". Prit t’jua shpjegoj.
Duke qenë se ditët e fundit në media është lexuar vetëm për lajme që janë një miksim mes vendosjes së maskës me detyrim, pro dhe kundër, trafikut të përbindshëm të Tiranës dhe dekoratave që duhet dhe s’duhet të japë Presidenti, thashë të bëja diçka ndryshe. E sigurisht diçka ndryshe, është diçka “lifestyle”, pra stil jetese, lajm me ngjyrë të verdhë e quaj unë. Kërkova vërdallë dhe vura re se në këtë sektor ato që qarkullojnë për momentin janë tendencat e veshjeve dhe flokëve për vjeshtën, që nuk e kuptoj se gjithë vjeshta është shi dhe kombinimi i vetëm që ju duhet është "mushama-kambale". Po ashtu kishte një interesim masiv për ushqimet që kanë gatuar këtë periudhë Genardi me Sonidën, spoiler alert: të gjithë ushqimet që ekzistojnë!
E kuptoni vetë besoj që e lashë si muhabet dhe hodha sytë të shkruaja ndonjë gjë për televizionin shqiptar, ç’ka ndonjë gjë të keqe dhe ndonjë gjë akoma më të keqe që po shfaqet. Vëmendjen e kishin dy "personazhe" nga një emision që i rimon emri me fjalën “Hudhen”, një farë Shqipeje, që nuk ka ngelur i madh e i vogël pa i ka matur decibelët e të bërtiturave pa sens dhe mesa duket dikush biseksual që përpiqet t’i mbushë mendjen të tjerëve që nuk është gay. Pra diçka që nuk i intereson absolutisht askujt. Ah po, kontrollova vërdallë sërish dhe mora vesh që për këto emisione e humorit që qarkullojnë aktorët paguhen, nuk i shkruajnë vullnetarisht ato butat dhe për këtë u ndjeva shumë keq.
Gjithsesi, thashë t’I hedh sytë nga showbiz-i i famshëm, lajmet rozë, ato që nuk zhgënjejnë asnjëherë kur vjen fjala për material. Kërkova, kërkova dhe kërkova, por nuk gjeta gjë. E dini pse? Sepse personazhet shqiptare nuk bëjnë asgjë. Këngëtarët hedhin po të njejtat këngë, modelet hedhin po të njejta foto, blogeret vazhdojnë të përpiqen që të na mbushin mendjen se blogerizmi është një profesion, ndërsa aktorët në habitetin e tyre, pa punë. Çifte të reja për t’u përndjekur nuk ka, edhe ato që janë, po hedhin akoma fotot e verës, shyqyr kemi ndonjë shtatzëni poshtë e lartë a ndonjë dedikim për fëmijët, që na nxjerrin pak nga monotonia, po do flasim prapë kur fëmijëve të fillojnë t’i dalin dhëmbët.
Po nuk e di si pres të shoh ndonjë gjë interesante, kur këta VIP-sat tanë, edhe kur i pyet për dicka, në mënyrë që t'i japësh rëndësi asaj që po bëjnë apo asaj që kanë, duan të mbajnë sekrete dhe nuk zbulojnë asnjë gjë. Nuk e di ku e mësojnë këtë marketing skandaloz të vetes, por po i mbajte sekrete atyre që interesohen për gjërat që ti bën, atëherë për kë po i bën? Mund të mësoni ndonjë gjë nga këta "të jashtmit" që investimin në PR e kanë gjënë kryesore para se të publikojnë një material, projekt apo të hedhin një hap të ri në karrierë.
Nejse, për sportin nuk po flas fare se Liga Shqiptare e Futbollit është gati të shkrihet dhe mirë e bën, ndërkohë që përfaqësueset tona, e Shqipërisë dhe Kosovës, normalisht që nuk kanë fituar.
Cili është morali i gjithë kësaj? Pavarësisht se duket sikur këtu ndodhin shumë gjëra, në fakt nuk ndodh asnjë gjë. Prandaj edhe unë, nisa të bëja një lajm po si përfundim e lashë fare. Ndërkohë ju bëni qef edhe nesër se duke filluar nga pasnesër do jeni të gjithë duke pyetur veten pse i harxhova ato lekët tek dentisti për kurorat e reja, kur nuk do mi shohë më njeri?
Nga Kejvin Kalo
/News31