©31 29 Tetor 2020, 19:58

Do na çojnë në komisariat ndonjë ditë, vetëm se morëm frymë...

Do na çojnë në komisariat ndonjë ditë, vetëm se

Kam dëgjuar dikë të thotë: "Problemi jonë nuk është se nuk kemi shtet, por që kemi MBI-shtet!" Duket si lojë fjalësh, por ja që është realiteti.

Lexova shkrimin e Elona Casllit, "Robt' ku t'i kesh Rama". Ishte frymëzuar nga disa policë që e kishin ndjekur, ndaluar, kërcënuar se do ta shoqëronin në komisariat, vetëm se nuk kishte vendosur maskën në rrugë. Anila Hoxha, po në të njejtën ditë, ka treguar në pak rreshta historinë e një zonje që është shoqëruar nga Garda në polici, pasi kjo e fundit ka qeshur shumë. Mos u habisni, por të qeshurën njerëzit me uniformë e kanë cilësuar si 'prishje e rendit dhe qetësisë publike'. E vërteta qendron në faktin se zonja, kishte qeshur me kryeministrin, teksa e kishte parë këtë të fundit në rrugë.

Këto ndodhën dje, por unë nuk mbaj mend që një herë të vetme, çdo ditë të jetës, të mos has ndonjë siluetë polici në rrugë. Polic trafiku, që me sy të 'ekzaminon' 2 kilometra larg, gati për të të zënë 'gafil' (edhe kur je në rregull). Policët bashkiakë, tmerr për bizneset, makinat e parkuara, madje edhe për njerëzit në rrugë. Nuk e di edhe sa lloje policësh ka, di vetëm që i shoh përditë, tufë, nga dy, tre ose katër bashkë. Dhe pyesim veten pastaj, pse jemi popull kaq i frustruar, kaq ankthoz, kaq paranojak. Sistemet mund të kenë ndryshuar, por vështirë të dallosh diktaturën nga MBI-shteti.

Dje Elona, zonja që qesh, ditë tjetër do i vijë radha dikujt të rastësishëm vetëm pse mori frymë. Ku i dihet, mund të dalë ligj për sasinë e oksigjenit të harxhuar për individ në ditë...Dhe do jenë prapë tufat e policëve, me blloqe në dorë, duke thënë se në këtë vend ka (mbi)Shtet! Përrallë e bukur. Kohëzgjatja: +30 vite.

Ps. Një duartrokitje e heshtur për pushtetarët e rinj që modernizuan maksimalisht fasadën e të bërit politikë, duke mos prekur asnjë milimetër nga themelet e forta të para '90-tës. Viva los Policia-s!

Sara Gurabardhi