©31 26 Tetor 2021, 19:20

Bëhuni më të ndjeshëm! Ajo që po ndodh në "Big Brother VIP" mund të ndihmojë shumë njerëz ose të ketë fund tragjik

Bëhuni më të ndjeshëm! Ajo që po ndodh në

"Nuk kam asnjë kujtim të bukur nga 7 vitet e fundit!"- tha Semi në një rrëfim rreth ankthit përballë Sheilës në "Big Brother VIP Albania". Rrëfimi i saj u vlerësua edhe gjatë spektaklit të së premtes, pasi në televizionet shqiptare e aq më pak në një reality show, shëndetit mendor nuk i kushtohet rëndësi. Sakaq, të premten edhe Fifi ka kaluar një krizë paniku dhe është qetësuar vetëm pas ndërhyrjes së mjekëve dhe marrjes së ilaçeve. Këto dy episode na bënë që t'i hedhim sytë drejt Britanisë së Bashkuar në një format pak a shumë të ngjashëm me "Big Brother". "Love Island"(Ishulli i dashurisë) është një nga reality-show më tërheqës në botën e televizionit.

Në këtë format një grup individësh jetojnë me njëri-tjetrin në një vilë në një ishull. Ata supozohet të njohin dashurinë e jetës së tyre gjatë izolimit teksa personat që nuk arrijnë të krijojnë një çift, qoftë edhe vetëm për lojë, rrezikojnë të eleminohen. Mirëpo, fatkeqësisht ato që e kanë bërë edhe më të njohur këtë program janë disa ngjarje tragjike. Sophie Gradon, 32-vjeç, ish-pjesëmarrëse në këtë reality-show, vrau veten pasi kishte konsumuar kokainë dhe alkool. Afërsisht 20 ditë pas vdekjes së saj, më 10 korrik, i dashuri i saj zemërthyer gjithashtu vrau veten.  Edhe 26-vjeçari, Mike Talassitis, ish-futbollist dhe pjesëmarrës i 'Love Island' në 2017, vari veten në një park lokal në Edmonton të Londrës. Ai kishte luftuar me problemet e shëndetit mendor dhe sipas miqve të tij, para vetëvrasjes po kalonte një periudhë të errët. Episodet tragjike nuk mbarojnë me kaq pasi edhe moderatorja e këtij programi, Caroline Flack, u vetëvra në apartamentin e saj teksa priste gjyqin për një sulm të supozuar ndaj të dashurit të saj. Mediat sociale, shtypi britanik dhe Prokuroria u fajësuan të gjithë për trajtimin që i bën çështjes së saj. Caroline po ashtu, kishte probleme me luhatjet e shëndetit mendor.

Prindërit e saj pas vdekjes thanë se ajo kishte rrëfyer se mediat dhe opinioni publik e bënë të ndjehej sikur nuk mund të shprehte ndjenjat e saj. Ajo kishte shkruar në një letër: “E vërteta më është hequr nga duart dhe është përdorur si argëtim. Nuk mund ta kaloj çdo ditë të fshehur duke u thënë që të mos them apo të flas me askënd.” Me këto ngjarje tragjike ka pasur kërkesa të shumta për kujdes të mëtejshëm për ata që marrin pjesë në një reality show. Edhe pse këto formate kanë të gjithë ekspertët e mundshëm që të bëjnë vlerësime psikiatrike përpara nisjes, presioni i rrjeteve sociale është i pakontrollueshëm. Për ta rikthyer çështjen në vendin tonë, duhet të theksohet se në Shqipëri njerëzit i nënvlerësojnë problemet e shëndetit mendor dhe janë shumë pak të informuar. Kjo është vërtetuar edhe nga komentet e vreri që po qarkullon në rrjet ditët e fundit për Fifin dhe Semin. Ankthi është kompleks dhe në disa raste mund të vijë si pasojë e shumë gjendjeve të akumuluara stresuese, ndërsa në raste të tjera mund të ndodhë edhe krejt papritur. Në këto kushte gjykime të tipit "E bëri për vëmendjen" apo "Bën vetë" janë thjesht të pavend. Ndoshta ne jemi mësuar t'i shohim me tisin e yllit teksa performojnë në skenë, por kjo nuk do të thotë e tyre se ata nuk kanë probleme, se meritojnë të vuajnë dhe aq më pak të marrin ofendime e akuza të rënda. Fakti që problemet e shëndetit të tyre mendor po zhvlerësohet në masë, nxjerr në pah edhe një herë se sa pak vlerë merr shëndeti mendor në shoqërinë tonë.

Nëse duam të zhbëjmë stigmat që lidhen me shëndetin mendor, nuk mund të ketë standarde të dyfishta kur bëhet fjalë për yjet e reality show-ve. Ne nuk mund t'i hedhim poshtë betejat për shëndetin mendor të një grupi dhe t'i shërbejmë një tjetri. Fakti që Semi, Fifi apo shumë personazhe të tjera kanë folur hapur për ankthin dhe gjithçka tjetër që ka të bëjë me shëndetin mendor janë për tu duartrokitur dhe jo për tu sulmuar. Sepse kjo bën që njerëz të tjerë të kenë ndikim pozitiv për tu kujdesur për këtë gjë, të kërkojnë ndihmë apo të flasin me ekspertët. Bëhuni pak më të ndjeshëm në rrjetet sociale sepse fakti që keni një celular në dorë nuk ju jep të drejtën të ofendoni njerëzit që flasin hapur për problemet e tyre. Pak ndjeshmëri dhe mbështetje mund të shërbejë për shumë gjëra. /News31