Alyne, me gjithë respektin, mes 1001 halleve që kemi në Shqipëri, a mund të na lësh të qeshim?
Me siguri jeni të informuar se një vlogger e quajtur Alyne qau në emisionin e Ermal Mamaqit pasi ky i fundit i drejtoi një pyetje partnerit të saj Nas, nëse ai udhëton për të parë vajza të bukura nëpër botë. Alyne u ndje e fyer në emision dhe e cilësoi këtë si një pyetje seksiste duke e interpretuar edhe si mungesë respekti. Pasi e transmetoi intervistën (detaj ky që përkthehet si profesional dhe respektues sepse edhe mund ta kishte prerë këtë fragment në montazh) Ermali postoi në Instagram një rrëfim të tijin ku shprehej se ishte keqkuptuar nga dyshja Alyne-Nas. Postoi edhe Alyne mesazhet e mira që i kishin ardhur nga ndjekësit shqiptarë dhe pothuajse të gjithë ishim dakord se kjo skenë, pavarësisht asaj që mendonim lidhur me të, ishte e mirë sepse asnjëherë në ekranet shqiptare nuk kishim parë një reagim kaq të sinqertë nga një e intervistuar.
Por kur menduam se diskutimi mbaroi, Alyne lançon dje një video në Youtube ku sqaronte edhe një herë gjithë ngjarjen nga fillimi deri në fund parë në spektrin e saj të botëkuptimit. Vrull edhe një herë portalet, vrull edhe një herë komentuesit, vrull edhe unë për këtë shkrim.
Situata është e tillë, humori seksist nuk është një problem shqiptar, përkundrazi është një problem që e ka gjenezën pikërisht në perëndim, ku televizioni dhe media lindën qysh herët dhe programet e tipit “late night show” garantuan humor dhe audiencë kryesisht prej batutave që në thelb ishin naive por dikush mund t’i interpetonte edhe si seksiste. Por gjithsesi, argumenti ynë nuk është “ne nga ata mësuam”, ama për t’i ndarë disa gjëra e për të dhënë deklarata gjeneralizuese duhet të kuptosh mirë mjedisin dhe kontekstin e një fenomeni. Fatkeqsisht Alyne nuk e bëri këtë.
Nëse do të jetonte këtu çdo ditë, Alyne do të kuponte se në fakt, përsa i përket traditës sonë të hershme, mendësia e shqiptarit mund të jetë izoluese, e prapambetur por figurën e gruas nuk e kanë përbaltur. Ka një arsye se përse pika më e fortë në moralin shqiptar mbetet nëna, gruaja apo motra. (Po, nuk funksionon gjithmonë kështu dhe po, kjo jo domosdoshmërisht është një vlerë, të gjithë e dimë vetë cilat vlera përqafojmë dhe cilat i quajmë prapambetëse).
Nga ana tjetër, nëse do të ndalojmë duke i vënë filtër me interpretimin tonë çdo shakaje të cilës i japim përcaktorë të ndryshëm si “shaka seksiste”, “shaka paragjykuese”, “shaka diskriminuese”, “shaka përjashtuese” etj, do të dilnim në përfundimin që s’ka asnjë shaka e cila po të analizohet seriozisht nuk ofendon një person, një grup apo një fenomen. Nëse filtrojmë shakatë, do reduktojmë të qeshurat dhe nëse reduktojmë të qeshurat, sidomos në këtë realitet të vështirë me të cilin po përballemi me siguri do ia shtonim hallet vetes.
Do thoni ju, “mirë në rregull, por kjo s’duhet bërë në televizion”. Po përse kemi tendencën të jemi gjithmonë hipokritë? A nuk jemi ne ata që duam televizion real, televizion që na përket, televizion që është po aq aktual sa e përditshmja jonë? Ermal Mamaqi bëri një pyetje që kushedi sa herë ua kemi bërë kushërinjve tanë që emigrojnë jashtë shtetit: “Hë mo Artan, ende beqar je, s’janë gjë anglezet ëëë, erdhe të kullosësh sytë këtej nga Shqipëria?”.
Dhe për të mbetur pak tek Ermal Mamaqi, mu kujtua rëndom teksa shihja histerinë e shumë shqiptarve drejtuar atij se si “kishte guxuar të ofendonte ashtu një vazjë” se vetëm disa episode më parë në “Xing me Ermalin” kur i ftuar ishte Bes Kallaku, Ermali e gjithë publiku qeshëm “vënçe” kur Besi tha: “O Ermal, e di si është puna, të gjithë njerzit janë të një mendimi, ata thonë që kur kemi gjetur gra e çfarë grash, unë ti dhe Sinan Hoxha, s’ka me ngel çun në Shqipëri pa u martu” (duke iu referuar faktit se përkatësisht Xhensila, Ami dhe Andrra janë tre vajza shumë simpatike të cilat nga publiku janë klasifikuar se janë më të pashme se bashkëshortët e tyre). Në këtë rast, humori seksist (bruto, seksist) që bëri Besi për veten dhe dy djemtë e tjerë, duhet ta bënte Ermalin e gjithë të tjerët të revoltoheshin e të nisnin kazua mbi stereotipet e këtij lloji. Askush nuk e mendoi këtë atëherë, thjesht, si zakonisht, qeshëm.
A duhet të jemi më të kujdesshëm me shakatë? Po, sigurisht. Megjithatë nëse nuk do qeshnim me baraceltat me bjonde, me policë, me kamarierë, me shqiptarë, etj, zor se industria e medias do të ishte mbajtur në këmbë e aq më pak këto lloj emisionesh që kategorizohen si emisione humori. “Pyetjen seksiste” nuk e bëri as Eni Vasili në “Open” apo Blendi Fevziu në “Opinion” por e bëri Ermal Mamaqi në “Xing”, i cili ka pyetur me shaka e ka hedhur fjalë pikante tek të gjithë të ftuarit e tij, shumë prej të cilëve kanë ditur mjaft mirë t’i përgjigjen.
Unë preferoj të ndjek shembullin e vajzave dhe grave të cilat kanë potencialin e duhur për t’i kthyer përgjigje çdo mashkulli, femre apo specie tjetër nëse një pyetje iu duket e papërshtatshme, duke garantuar dhe një herë se jetojmë në një botë ku vetëbesimi dhe fjala e lirë na sigurojnë një jetesë më të mirë.
“Përdorja” apo ofendimi i banorëve të një shteti të tërë si seksistë për të bërë një video ku përfiton para online, e cila merr mbi 50,000 shpërndarje duke bërë publicitet të keq, nuk janë mënyrat e duhura për të mbrojtur dhe fuqizuar veten dhe vajzat e tjera. Në gjithë këtë kauzë që Alyne po e ngre e po e bën kaq virale, kam shumë dyshime se edhe ajo vetë, në një farë mënyre, po i përdor negativisht vajzat. Kejvinën të parën. Po përdor imazhin e një vajze tjetër për të ngritur kauzën e saj. A ju tingëllon kontradiktore? Mua po.
A s'do ishte më mirë që Alyne ta kishte lënë me reagimin që pati "live" në emision? Pastaj, po të ketë qenë reagimi i saj i sinqertë përse ka nevojë për kaq shumë shpjegime tani? A duhet të presim një tjetër video sqaruese apo të vazhdojmë jetën tonë të qetë, si thua Alyne?
*Ky shkrim u realizua nga Lea B. (duke falenderuar për idenë e pseudonimit Enkel Demin, me shpresën se Lea do të jetë e fshehtë pak më gjatë se Tom Kuka)