Fundjavë në izolim, por situata aktuale e Covid në vend vazhdon të përmirësohet


Në 24 orët e fundit janë konfirmuar vetëm 8 raste të reja me Covid. Përkatësisht, 5 raste janë identifikuar në Tiranë, 2 në Durrës dhe 1 në Tiranë.
Numri në total i të prekurve ka arritur në 989. Më shumë se 79% e tyre janë shëruar. Dr. Rovena Daja ka dhënë informacion të detajuar mbi situatën aktuale.
NJOFTIMI
Ju paraqesim situatën epidemiologjike të Covid19 në Shqipëri, në 24 orët e fundit. Duke analizuar të dhënat epidemiologjike, numrin e rasteve të reja në 24 orët e fundit, numrin e vdekjeve dhe numrin e personave të hospitalizuar, mund të themi se situata epidemiologjike e Covid19 në Shqipëri paraqitet e qëndrueshme.
Aktualisht në shërbimin infektiv janë 16 pacientë të shtruar dhe vetëm 5 prej tyre në terapi intensive.
Fatmirësisht gjatë 3 javëve të fundit nuk kemi asnjë humbje jetë nga Covid19 dhe ky është një indikator që tregon qëndrueshmërinë e këtij shpërthimi epidemik.
Gjatë 24 orëve të fundit janë testuar 200 qytetarë si të dyshuar të prekur me Covid19 dhe janë konfirmuar pozitivë 8 raste. Shpërndarja gjeografike e rasteve është si vijon: 5 raste në Tiranë, 2 në Durrës dhe 1 në Krujë, kontakte të rasteve të mëparshme pozitive. Të shëruar janë 6 qytetarë.
Nga fillimi i epidemisë janë kryer mbi 14 mijë testime molekulare dhe serologjike. Deri më sot janë konfirmuar pozitivë 989 qytetarë me COVID-19. Prej tyre, rreth 79% janë të shëruar.
Në vendin tonë aktualisht janë 175 persona aktivë me COVID19, kryesisht ne Tiranë, Durrës Krujë, Shkodër. Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale fton qytetarët të tregohen të kujdesshëm, duke respektuar masat e vendosura. Nëse keni shenja të Covid19 telefononi në numrin unik të Urgjencës Kombëtare, 127. Për informacion në lidhje me COVID19 dhe këshillim psikologjik, ju lutemi, telefononi në linjën e gjelbër 0800 40-40.