OPINIONS 22 Qershor 2020, 00:00

Ndërron jetë një 62-vjeçar te Spitali Infektiv, shkon në 45 numri i viktimave nga Covid-19

Ndërron jetë një 62-vjeçar te Spitali Infektiv, shkon

Ditën e sotme ka ndërruar jetë një pacient 62-vjeçar në Spitalin Infektiv, i infektuar me Covid-19. Njoftimi është dhënë nga Ministria e Shëndetësisë, e cila bën me dije se pacientj ishte shtruar në spital prej dy javësh, ndërkohë që 10 ditët e fundit kishte qenë i intubuar. 62-vjeçari nuk vuante nga sëmundje të tjera bashkëshoqëruese.

Njoftimi i plotë i Minstrisë:

“Rreth dy javë pas shtrimit në spital, pas 10 ditësh në terapi intensive, i intubuar, një 62 vjeçar nga Tirana ka humbur jetën nga Covid-19, megjithë përpjekjet e mjekëve, terapisë medikamentoze intensive, pavarësisht se nuk vuante nga sëmundje bashkëshoqëruese.

Ministria e Shëndetësisë i shpreh ngushëllime familjes së të ndjerit dhe i rikujton qytetarëve rëndësinë që ka respektimi i masave mbrojtëse, pasi referuar ekspertëve të Institutit të Shëndetit Publik, virusi është prezent, ka transmetueshmëri dhe nuk e ka humbur forcën e tij virusale.

Nga fillimi i epidemisë, 45 qytetarë e kanë humbur betejën me Covid-19. Aktualisht janë të shtruar mbi 80 pacientë në shërbimin infektiv dhe janë mbi 790 raste aktive me Covid-19 në vend”

Kujtojmë se sot MSH ka raportuar për 33 raste të reja me Covid-19 në Shqipëri. Aktualisht janë 82 persona të shtruar tek Spitali Infektiv. Gjatë 24 orëve të fundit janë kryer 239 testime, për personat e dyshuar si të prekur nga koronavirusi. Bashkë me 62-vjeçarin shkon në 45 numri i viktimave në vendin tonë.

/News31.al