©31 8 Qershor 2024, 14:32

Pak rreshta për Alban Skënderaj dhe për gjithë ndjesinë e një koncerti që nuk ishte thjesht koncert

Pak rreshta për Alban Skënderaj dhe për gjithë ndjesinë

Me siguri Alban Skënderaj, gati 20 vite më parë, kur doli para publikut shqiptar me "Vetëm Ty" dhe me stilin e flokëve që bëri për vete gjysmën e gocave të Shqipërisë, nuk do e kishte imagjinuar kurrë se në 6 qershor 2024, do të mbushte stadiumin 25 mijë vendësh "Air Albania", me njerëzit që nuk ndaluan asnjë sekondë dhe në fund, pritën me padurim të këndonin pikërisht këngën e tij të parë. 

Por Alban Skënderaj mund ta kishte imagjinuar këtë duke u frymëzuar nga artistë të huaj me muzikën e të cilëve është rritur vetë… E duket se kjo ëndërr iu realizua se është artist dhe artistët kanë ëndrra të mëdha, aq të mëdha sa ja dalin që pa shumë sforco, vetëm me talent, punë dhe mbi të gjitha, të qënit njerëzor, të mbushin stadiume dhe të dhurojnë magji vetëm një mikrofon përpara.

Megjithë mos gaboni të mendoni se "Motiv", koncerti i karrierës së Albanit (të paktën deri më tani) ishte vetëm ai dhe një mikrofon përpara..Aspak! Ishte një spektakël i vërtetë dritash, fishekzjarresh, orkestre live, puthjesh mes çifteve që ndoshta dashurinë e tyre e kanë nisur me një këngë të tijën, të ftuarish specialë me të cilët këngëtari ka bashkëpunuar prej vitesh. Ky koncert, ishte një provë e vërtetë se 3 apo 4 orë "paqe, dashuri dhe muzikë" janë vërtetë të arritshme dhe ai ja doli më së miri bashkë me "Kuadr" dhe ekipin.

Në fakt, ishte e qartë se "Motiv" do ishte një sukses i vërtetë që kur u publikua lajmi i organizmit të tij, me biletat që u shitën më shpejt se Iphone-t e rinj në dyqanet e Apple. Në fakt duhet thënë që publiku e kishte të qarte përjetimin që do të merrte. Ata e dinin që do të shkonin në një "sesion terapie" me artistin e tyre të preferuar, do këndonin njëzëri hitet e tij, disa prej të cilave ndoshta i kishin harruar që i dinin përmendësh dhe në fund do të ishin të lumtur. E në fakt të gjithë në fund ishin të lumtur, madje shumë syresh kanë shkruar në rrjete sociale të nesërmen në mëngjes se mendonin që e kishin parë koncertin në ëndërr, megjithatë Albani diti edhe si t'i surprizojë, duke na përcuar edhe idenë se në fakt, ai po feston vetëm "20 vitet e para të karrierës" dhe do presim shumë e më shumë prej tij. 

Siç mund ta dini, sot nuk është e lehtë të mbash vëmendjen e njerëzve më shumë se 1 apo 2 minuta, falë edhe revolucionit të rrjeteve sociale, imagjinoni sa e vështirë është t'i mbani 3 orë në këmbë, herë "pa frymë" e herë "në majë të gishtave", sa e vështirë mund të jetë. Shumë e thjeshtë për Alban Skënderajn, që ndoshta pas “Top Festit” mund të ketë ëndërruar për një koncert të tillë, por ndoshta mund të ketë ëndërruar thjesht dhe vetëm që të bëjë prindërit e tij krenarë, por bëri shumë më tepër se kaq.

Artisti nuk do e kishte ëndërruar asnjëherë se do bëhej ai "Motiv" që njerëzit të ishin të lumtur dhe tani mezi presim koncertin e radhës, këtë herë në një stadium më të madh! 

 
 
 
 
 
View this post on Instagram
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 

A post shared by Alban Skenderaj (@albanskenderaj)

/News31