©31 22 Dhjetor 2022, 18:30

Na është bërë Festivali si “Çohu Enver”!

Na është bërë Festivali si “Çohu Enver”!

E keni parasysh atë shprehjen, “Çohu Enver” sa herë që këta të moshës së tretë hasen me ndonjë të ri që është veshur me xhinse të grisura apo sa herë që dëgjojnë të thuhet vërdallë që “nuk ka asgjë të keqe me martesat gay”. Praktikisht është shprehje që manifeston jo vetëm “mallin” për periudhën e diktaturës, që ironikisht ka qenë diktatura më e egër në Europë, por po ashtu tregon edhe një gjë shumë të thjeshtë. Që disa njerëz, madje shumë njerëz, do jenë të pakënaqur me botën që ecën përpara dhe modernitetin dhe cdo gjë që kjo sjell, teksa gjithmonë do thërrasin “Enverin”, që besoj se do ishte shumë i lumtur po t’i shikonte edhe një herë. Nejse se e teprova me batutat e errëta, po vazhdoj me temën.

Teksa lexoj dhe dëgjoj atë çka njerëzit kanë për të thënë për “Festivalin e Këngës”, që këtë vit është duke zhvilluar edicionin e 61-të, më erdhi në mend ajo që kam shkruar edhe në titull, që ky eveniment i rëndësishëm muzikor për artin dhe traditën tonë, në këtë pikë është bërë fiks si kjo shprehja “Çohu Enver”. Në fakt jo Festivali vetë, se po të vini re mënyrën si është organizuar këtë vit, kishte shumë artistë të rinj, këngë moderne e të lehta për veshin, një formulë krejt të re për fituesit etj etj. Po flas për mendimin që njerëzit kanë për Festivalin e Këngës dhe për atë çfarë duhet të përfaqësojë apo atë që duhet të dëgjojmë në skenën e tij. Theksi bie tek fjala "duhet".


Mendojeni pak, nuk ka rëndësi kush e ka prezantuar, kush e ka fituar apo se çfarë është bërë, gjithmonë ka pasur njerëz të pakënaqur dhe për ta nuk kanë rëndësi fare këto, ata kanë krijuar një ide se çfarë duhet të shohin, ide kjo që është gjeneruar 20, 30 apo 40 vite përparara dhe për ta nuk vlen asgjë tjetër, vetëm ai refreni që kanë në kokë, “Jo po nuk bëhet muzikë si dikur, tani çdo gjë është kot”. Po pra po…


Kur fiton një baladë, nuk duhet të ketë më balada fituese, kur fiton një këngë ritmike që të përfaqësohemi ndryshe në Eurovizion, nuk bën teksti, kur fiton një artiste e madhe, nuk kishte konkurencë, kur ka të ftuar emra të mëdhenj të muzikës botërore, çfarë i duam ne këta kemi këngëtarët tanë, kur voton juria, pse nuk voton pubiku, këtë vit që voton publiku, u kapën me skelat në Pallatin e Kongreseve dhe remake-un e disa këngëve ikonë të Festivalit, në vend që ta vlerësonin "natën e nostalgjisë" që na solli aq shumë kujtime të gjithëve. Tani edhe Elsa Lila nuk paska “të drejtë” të merrka pjesë për shkak të situatës ku ishte përfshirë dhe hajde zbulojmë se çfarë kanë bërë me buxhetin, ndërkohë që organizmi dhe çdo gjë tjetër në dukje ka qenë mjaft korrekt dhe i kuruar. Shkurt muhabetit, çfarëdo që të ndodhë në atë skenë, në çdo vit, këta njerëz nuk i bën të lumtur asgjë, siç nuk i bën të lumtur asgjë që ndodh vërdallë sot sepse kështu janë si njerëz dhe do kenë gjithmonë një kritikë për të bërë.

Që ta keni të qartë. nuk ka më këngë si ato të “komunzmit” sepse kohët kanë ndryshuar, nuk ka më as si ata artistë dhe fakteqësisht, por të jemi të sinqertë deri në fund, as arti që ata kanë bërë dhe mund të bëjnë tani, nuk është ajo çka njerëzit kërkojnë, pavarësisht mendimit tuaj. Fatmirësisht nuk ka më as "epidemi të heroinës" në Shqipëri si në vitet 90’, nga e cila janë frymëzuar disa nga këngët më të bukura shqiptare, ndërsa sot nuk kemi më nevojë t'i bëjmë ato këngë. As këngë për emigrimin nuk ka më, se në të shumtën e rasteve shqiptarët zgjedhin vetë të ikin dhe emigrojnë për të bërë më shumë para. E ky diskutim vlen për shumë gjëra të tjera.

Pra këngët kanë ndryshuar sepse bota që i frymëzon ka ndryshuar, nuk mund të ngjiten në skenë njerëz dhe të këndojnë ashtu sic kanë bërë dekada më parë, sot edhe Luan Zhegu do të kishte të vështirë të bënte një këngë të mirë. Dhe duhet të kuptoni që Festivalet nuk janë më platforma ku manifestohet liria apo ku ndihet dashuria, janë thjesht forma argëtimi dhe kaq. Edhe ato të mëdhatë si Eurovizion, të cilat vetëm ne i marrim seriozisht dhe përfaqësimi ynë atje patjetër duhet të jetë i mirë, por është i parëndësishëm.

Kompeticionet muzikore, pavarësisht se ne i kemi pasur motiv për t’u mbledhur me familjen, tani janë thjesht spektakël për ne dhe një mundësi për artistë për të performuar "live" me një super orkestër dhe kaq e nuk është detyra e askujt që t’ju bëjë ju të ndiheni të plotësuar në subkoshiencë për njerëzit dhe çastet që nuk kthehen më.Hidhini edhe sytë vërdallë, është njësoj si këtu. Sanremo-ja nuk ka më Lucio Dalla, por Manneskin, Grammy Awards nuk kanë më Whitney Huston por, Doja Cat që bën twerk. 

Kështu që Festivalin vlerësojeni sa e keni, nëse ju pëlqen mirë, shiheni me të mirat dhe të këqijat që ka dhe nostalgjitë kujtojini për ato që janë, momente të së kaluarës. Ose pastaj ta “shkrijmë” fare Festivalin si organizim se me “Çohu Enver” edhe këtu, nuk ja dalim dot më, jemi në 2022, mësohuni me këtë fakt! 

Nga Kejvin Kalo

/News31