Mirëmbrëma vetëm Borës dhe Donaldit sonte! “5 herë PO” për filmin e tyre
Doja ta nisja këtë artikull me “Mirëmëngjes vetëm për Bora Zemanin dhe Donald Veshaj” por nga premiera dhe afterparty, më doli gjumi pasdite…
Sigurisht, data 12 tashmë do jetë përjetë e ngulitur në mendjen e Borës, jo vetëm se ka ditën e lindjes së djalit, kishte premierën e filmit të parë me Donaldin, por mori edhe propozimin për martesë. Mes njerëzve të tyre më të dashur, miqve e kolegëve, ata zgjodhën të transmetonin edhe ndjesinë e mirë qe jep dashuria. Duke lënë pak mënjanë "showbiz"-in dhe pamjen romantike të propozimit për martesë nga Donaldi, data 12 dhjetor po ashtu është edhe dita se përse filmit të tyre duhet t’i thoni: "5 herë Po".
Janë 5 (le t’i mbetemi numrit 5) arsye të sinqerta pse duhet ta shihni këtë film. Ndoshta jo nga i gjithë publiku ne sallë mund të jetë pëlqyer sepse ne kemi kritikë të mëdhenj filmash në Shqiperi, nga ata seriozët që i hanë kokoshkat nga shoku ngjitur se nuk janë “tipa radhash”. Fundja kur e mbytën me kritika "Napoleonin" e Ridley Scott, "5 Herë Jo"-në e Erion Bubullimës e kanë "pre të lehtë". Nëse duam të jemi pjesëtarë të Akademisë së Oscar për një moment, mund të gjejmë patjetër vend për përmirësim. Unë nuk e konsideroj veten ajo kategori “kritikësh”, ndaj ju thash që në fillim që është mendimi i sinqertë i një personi që e pëlqen filmin. Patjetër që kishte momente ku do doja të kishte pak më shumë ritëm, kishte ndonjë përsëritje dhe po ashtu do kisha ndryshuar pak njohjen e çiftit, por skenaristi na hoqi pritshmërinë komplet me këtë detaj dhe mirë bëri. (Nuk bëj spoiler-sa pa merak)
Por le të përqëndrohemi tek ndjesitë që na dha dhe ta shohim filmin për atë që duhet të jetë, pra jo një kandidaturë për Festivalin e Venecias, apo për "Palmën e Artë". Këto janë 5 arsyet që publiku i duhet t'i thotë filmit PO:
1.Energjia pozitive. Filmi të përcjell vetëm energji pozitive, nga fillimi në fund, pavarësisht nëse i pëlqeni apo jo protagonistët, aktorët e tjerë, apo edhe vetë formatin rom-com. Nuk ndjeni asnjë sforcim, historia rrjedh natyrshëm dhe ka fund të lumtur. Miksi i realitetit shqiptar me disa elementë tashmë të njohura të komedive rrinin shumë mirë bashkë.
2.Batutat. Ka elementë parodie pafund, që nga ekzagjërimi deri në grotesk që mund të jetë ose mos jetë frymëzuar nga personazhe shqiptare realë, deri tek “tragjikomedia” që ndodh me shqiptarët (dhe jo vetëm) kur flitet për “reality show” dhe veset që nuk mund të shmangeshin në një komedi. Të qeshurat nuk do mungojnë asnjë minutë. Bravo skenarit për këtë!
3.Agron Llakaj! Ishte BRILANT. Nuk e dimë nëse na kishte marrë malli ta shihnim në film, apo thjesht po mësohemi të duam akoma më shumë aktorët e mëdhenj që kemi në jetë, megjithatë Agron Llakaj në këtë komedi ishte vetë komedia! Nuk besojmë se Borës dhe Donaldit i mbetet hatri po ta quajmë edhe "filmi Gonit".
4.Regjia dhe fotografia. Dashuria ndaj regjizorëve dhe fotografisë është tërësisht subjektive, nuk ka regjizor apo DOP që e duan të gjithë në absolut dhe nuk do ketë as në këtë rast. Por Erioni kishte bërë disa zgjedhje të guximshme, disa origjinale dhe disa të frymëzuara "me lezet". Mendoj që nuk duhet të bëjë më pushime nga filmat!
5.Kolona zanore. Jo vetëm Alban Skënderaj, që te kënga e ka "shkrirë talentin", por edhe përzgjedhja e disa këngëve të tjera, sidomos njërës që do e shihni të përsëritet në momente kyce, i shtonte ritmin gjithë gjësë. Përzgjedhje e mirë. Gjithsesi "Obsesion" mund të jetë një nga këngët më të mira të shkruara ndonjëherë për film në Shqipëri!
Thënë të gjitha këto, kur të shkoni ta shihni filmin, një këshille nga ne: Shkoni ta shihni me dikë që ka dëshirë të qeshë dhe të kalojë kohë të mirë. Nëse doni të shkoni me dikë që filmat i ka "pikë të dobët" dhe nuk le element pa i shpëtuar, del "Ferrari" me Adam Driver pas ca ditësh në kinema, shkoni shihni atë dhe lëreni “kritikën” t’ju rrjedhë si lumë….
Ahh edhe diçka të fundit: Bora dhe Donaldi ishin nice në aktrim dhe bashkë me këtë, ne na dolën “6 herë Po” për filmin “5 herë Jo”! Juve mund t’ju dalin edhe me shumë!
Nga Kejvin Kalo
/News31