©31 11 Maj 2023, 16:47

“Duje” Albinën si Albina do familjen!

“Duje” Albinën si Albina do familjen!

“Diçka mrena fymën ma nal”- kështu e nis Albina Kelmendi këngën “Duje” dhe kështu u ndjeva edhe unë kur e pashë për herë të parë të performojë në Fetivalin e Këngës baladën ritmike qe tashmë na përfaqëson në Eurovizion e që sonte ka “provën e madhe”, daljen në skenën e Liverpool-it para syve të miliona shikuesëve në mbarë botën. Nuk dua të flas për Eurovisio-nin dhe gjithë “dramat” e tij, është kompeticion që shpesh herë nuk na ka dhënë atë që mëritojmë, siç edhe ne i kemi dhuruar ndonjëherë ca këngë aq të dobëta sa Milani i pjesës së parë në mbrëmjen e djeshme.

Albina dhe familja e saj i kanë të gjitha për të arritur finalen, këngën e kanë të fuqishme, zërat “brisk” si ujë burimi, performancën të fortë dhe të vendosur, mbështetjen e ekspertëve dhe shumë fansave të kompeticionit, konsiderohet si një nga këngët më të mira që vendi ynë ka dërguar ndonjëherë POR…Mos shpresoni shumë për finale, prapaskenat e Eurovision-it ja kalojmë intrigave të “Big Brother”, anëtarët e jurisë votojnë vit pas viti me një logjikë që do e kishte të vështirë ta kuptonte dhe Aristoteli, ndërsa shtetet i japin pikët sikur po luajnë Monopoli dhe e thënë shkurt: “Ne nuk na duan o vëlla” në këtë festival..

Kështu që edhe këto rreshtat më lartë për Euovizion-in shumë ishin dhe le të merremi pak me Albinën dhe “Duje” dhe t’i duam pak ashtu siç e meritojnë. Si asnjëherë më parë një artiste u ngjit në skenën e Festivalit dhe tashmë atë të Eurovision-it me familjen e saj, me një këngë që ka në qendër pikërisht familjen, në një kohë që të gjithë duket se po shkojnë në drejtim të kundërt me të. E kam fjalën për faktin që edhe pse të gjithë e shkruajnë në bio-n e Instagram-it “familja është e shenjtë” ose i dedikojnë mamit fjalët më të bukura për 8 mars, gjithmonë e më shumë e shohim veten dhe të tjerët që të shkëputen nga familja, t’i bëjnë "skip" pushimeve me ta në mundësinë e parë që i jepet, të mos mblidhen më për drekën e së dielës si dikur dhe më keq akoma, të mos mendohen dy herë ta “thyejnë” që në momentin e parë kur del një vështirësi.

“Duje” na kujton pikërisht këtë, jo thjesht traditën që ka pas mbajtur familjen bashkë, por faktin që dikur nuk mjaftonin vetëm disa fjalë për ta ndarë lidhjen e shenjtë të familjes, që prindërit mendonin për fëmijët në “sofër”, që fëmijët vetë mendonin për shtëpinë para gjithçkaje dhe të gjithë bashkë do bënin çdo gjë që mos e humbisnin dashurinë për njëri-tjetrin. Jo se dashuria për familjen humb ndonjëherë, por sot duket shumë e lehtë që të harrohet dhe të vihet në plan të dytë dhe pikërisht këtë na kujtojnë si tingujet e këngës së Kelmendëve, po ashtu edhe teksti dhe sigurisht edhe lotët e Albinës në fund.

E këtë “himn të familjes” artistja do ta këndojë në zemrën e Anglisë, pikërisht në vendin që u shkëput nga familja europiane pak kohë më parë, në festvalin që shpesh është kritikuar për konkurrentët, këngët dhe mesazhet “anti-familjare”, në kompeticionin e kontinentit që po e harron çdo ditë më shumë se çfarë është familja. Nëse nuk mendoni se kjo është e guximshme, mendoni për ironinë e një familje kosovare që përfaqëson gjithë Shqiptarinë e që do të tundë themelet e skenës së një vendi ku nuk lejohet ende të udhëtojë pa kaluar "një mijë e një peripeci", po kosovarët nuk i ka ndaluar as lufta që ta “bërtasin” talentin e tyre kudo nëpër botë e jo më një vizë.

“Duje” nuk përjashton asnjë familje, nuk paragjykon familjen moderne, nuk kritikon ata që mbajnë qëndrim ndaj saj, nuk futet në problemet e bashkësive problematike njerëzore dhe toksiitetin e atyre që janë familje vetëm nga emri, thjesht troket në mendjet tona dhe kujton një kohë kur gjithçka ishte e thjeshtë, aq e thjeshtë sa familja ishte e para e gjithçka tjetër nga pas.  Kënga i jep një “shuplakë” të gjithë atyre prindërve që nuk mendojnë për të dashurit e tyre, fëmijëve që lëndojnë me dashje dhe atyre që bëjnë egon e tyre prioritet, edhe pse pa familjen nuk do ta kishin këtë ego në radhë të parë.

Prandaj sonte është e nevojshme që ta duam “DUJE”, siç Albina do familjen e saj dhe nesër ta duam familjen siç do dojë sonte e gjithë Evropa zërin e Albinës, edhe nëse nuk shkojmë në fnale. Ta shijojmë, të këndojmë, të rrënqethemi me atë notën e lartë që Albina kap që 10 sekondat e para dhe nesër të duam njëri-tjetrin më shumë dhe kjo është fitorja jonë në Eurovizion.

Nga Kejvin Kalo

/News31