22 vjeçarja e virgjër tronditi “Përputhen”, por kujt i plasi?


Nga Ana Limani
Në 2020 na çuditën e tronditën shumë gjëra, po askush nuk do e kishte parashikuar që një prej tyre do ishte “Sindi, vajza e virgjër”. Kush është Sindi? Më duket se ishte 22 vjeç dhe tregoi shumë për ambiciet dhe qëllimet e saj në karrierën në fushën e artit, por nuk na intereson kjo. Na intereson që një vajzë e virgjër është hyrja më e re në “Përputhen”. Ok wow, po kujt i plasi? (Njerëzit që përmendin fjalën moral në komente, nuk llogariten.)
Është tërësisht e kuptueshme që në një emision “dating” të flitet për lidhjet e mëparshme të dashurisë ose mungesën e tyre, por mund të mjaftohej me fjalinë e parë: “Jo, nuk kam pasur asnjë marrëdhënie.” Nuk ishte fare e nevojshme të pyetej disa herë nëse vërtetë ishte kështu, sepse ka ardhur koha të mos çuditemi për zgjedhjet e njerëzve në krevatin e tyre. ?
Mendjet e ndritura filluan me fjalinë “kjo qenka për nuse(nuk llogaritet si humor), është për t’u vlerësuar vajza, duhet të jemi më të përgjegjshëm meqë do e ketë për herë të parë”. Më fal po WTF? Virgjëria(ose humbja e saj) nuk është trofe dhe as gjë për të vlerësuar. Është konstrukt social që nuk i hyn në xhep askujt, po meqë dikujt i shkoi në mendje ta shpikte për të “vlerësuar” vajzat shekuj më parë, le të vazhdojmë ta përdorim? Po *vajzat*, sepse më korrigjoni nëse jam gabim po nuk kam lexuar akoma titull Filani, djali i virgjër. Çdokush bën çfarë të dojë, me kë të dojë, kur të dojë dhe nuk ka vend për opinionin e askujt. Dhe “përgjegjshmëria” apo mënyra si sillemi me njerëzit nuk varet nga himeni. Nëse e mendoni kështu, dikush t’ju heqi mikrofonin.
Ju lutem, boll e justifikuam çdo sjellje me argumentin se kështu jemi mësuar, kështu jemi rritur, kështu është realiteti. Edhe çfarë? “Pse te ju çunat nuk ngjall tërheqje apo bën efekt ky fakt që nuk ka pasur asnjë të dashur më parë në jetë? Se shqiptarë jemi, nuk jeni rritur në Amsterdam.” Shqiptarë mund të jemi Arjan, po le të jemi shqiptarë të cilët nuk tërhiqemi nga virgjëria ose jo e një vajze. Le të jemi shqiptarë që shohim përtej stereotipeve të vjetëruara që lidhin seksin me ndershmërinë, moralin, pastërtinë. Mund të kishit folur se si vajza u shpreh se kishte ndrydhur veten për t’ju përkushtuar karrierës, mund ta kishit pyetur për konceptin e saj për dashurinë e parë. Ah po këto nuk prodhojnë klikime…
Thënë kjo, për këtë rast dhe shumë të tjerë që ndodhin shpesh në përditshmëri, le të mos e nënvlerësojmë, mbivlerësojmë, vlerësojmë dhe respektojmë, të na tërheqi apo jo, virgjëria. Le të mos bëhet më debat 30 minuta për të dhe as të pyetet në takim të parë. Le të jetë një kuriozitet që dy njerëz që njihen e zbulojnë nga njëri-tjetri, njësoj sikur pyetjen “a fle dot me dritë ndezur apo pa dritë fare?” Sepse në fund të ditës, mbetet vetëm aq, kuriozitet. /News31