Publicistit dhe politikanit kosovar Veton Surroi i hiqet titulli “Nderi i Qarkut Kukës”!
Publicistit dhe politikanit kosovar Veton Surroi, i është hequr titulli “Nderi i Qarkut Kukës”, i dhënë nga Këshilli i këtij Qarku në vitin 2015. Vendimi është marrë nga i njejti Këshill, në mbledhjen e radhës, të mbajtur ditën e sotme. Ky vendim sipas kreut të Këshillit të Qarkut, Abdulla Domi, është marrë si rrjedhojë e kërkesës drejtuar nga dy intelektualë të Kukësit, të cilët sipas tij kanë paraqitur edhe argumentet përkatës.
Ndërsa për kryebashkiakun e Kukësit, Safet Gjicin, njëkohësisht edhe anëtar i Këshillit të Qarkut, heqja e titullit për Surroin është më së e arsyeshme, për shkak të fushatës mediatike dhe politike që ai ka bërë kundra Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).
Në vitin 2015 Këshilli i Qarkut të Kukësit, me propozim te Klubit Letrar “Anton Pashku”, vlerësoi personalitetin e njohur, Veton Surroi, me titullin e lartë “Nderi i Qarkut Kukës” me motivin “Për kontribut të veçantë në fushën mediale dhe politike gjatë krizës së vitit 1999 dhe shpalljes së Pavarësisë së Kosovës”.
Në lidhje me këtë vendim ka pasur shumë reagime në rrjet, por edhe nga Kryeministri Edi Rama, i cili e quajti "një lajthitje kolektive", ndërkohë kërkon që Parlamenti të ndërhyjë te cështja medaleve:
“Vendimi i Këshillit të Qarkut të Kukësit për heqjen e titullit “Qytetar Nderi” Veton Surroit është një lajthitje kolektive që uroj Prefekti do ta refuzojë! Ndërkohë parlamenti duhet të ndërhyjë për ta normuar njëherë e mirë çështjen e titujve e të medaljeve. Ky vend s’mund të jetë një planet më vete brenda botës që e ka sistemuar me kohë e me vakt këtë punë, ku s’ka president që jep medalje për heronjtë e luftrave të shkuara se kështu i thotë koka dhe s’ka këshill që ia heq titullin dikujt me kërkesë të disave! Boll me këtë absurd!”
/News31