Turqia ndalon hyrjen e charter-ave me pacientë me Covid-19 nga vende të tjera

Turqia ka marrë vendimin të mos pranojë më pacientë me Covid-19 nga vendet e tjera, të cilët kërkojnë të marrin trajtim për virusin në spitalet turke. Vendimi është marrë nga Ministria e Shëndetësisë në këtë shtet dhe i është dërguar në mënyrë elektronike kompanive ajrore, ku saktësohet se ky shërbim është i ndaluar deri në një urdhër të dytë.
“Sjellja e pacientëve pozitiv me Covid-19 në vendin tonë me avionë privatë (charter) është e ndaluar deri në një urdhër të dytë. Nëse masa e përmendur nuk respektohet, për bizneset përkatëse do të zbatohen sanksione administrative”, thuhet mes të tjerash në email.

 

Mendohet se arsyja e këtij vendimi është fakti që numri i shtretërve në spitalet turke është zënë në masën 79.8%, kryesisht nga pacientët që duhet të kurohen nga koronavirusi. Sipas një investigimi të “BIRN”, që prej fillimit të pandemisë, nga aeroporti i Rinasit kanë fluturuar 565 charter-a ambulancë drejt Turqisë. Kostoja e udhëtimit të pacientëve me këta avionë privatë drejt spitaleve të Turqisë varion nga 15 – 20 mijë euro.

. 

/News31

My Dental

Burimi:Sozcu