Thellimi i bilancit të Covid-19, OBSH: “Pandemia nuk do të largohet deri në fund të vitit!”



Javën që lamë pas numri i rasteve të reja me Covid-19 u rrit për herë të parë në shtatë javë në të gjithë botën. Rastet e raportuara u rritën në katër nga gjashtë rajonet e OBSH-së: Amerika, Evropa, Azia Juglindore dhe Mesdheu lindor. Rritja vjen në një kohë kur në shumë vende të botës po shpërndahen dhe administrohen vaksinat kundër virusit.


Vendet që kanë vaksinuar më shumë njerëz, përfshirë Izraelin, Mbretërinë e Bashkuar dhe SHBA- kanë regjistruar ulje në numrin e vdekje dhe shtrimeve në spital.

Megjithatë, drejtori i Përgjithshëm i OBSH, Tedros Adhanom Ghebreyesus u shpreh se rritja e rasteve nuk ishte befasuese për ta dhe u bëri thirrje vendeve të mos i ndalojnë masat për të luftuar sëmundjen.

“Është shumë herët për vendet që mbështeten vetëm në programet e vaksinimit që të braktisnin masat e tjera,” tha ai.

Madje, pandemia do të jetë prezente të paktën deri në fund të vitin, sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë. Drejtori i urgjencave të OBSH-së Michael Ryan tha se mund të jetë e mundur të lehtësohet situata nga kriza e koronavirusit duke zvogëluar shtrimet në spital dhe vdekjet. Por virusi mbetet prezent, shtoi ai, veçanërisht duke pasur parasysh se numri i rasteve të reja globale u rrit javën e kaluar pas gjashtë javësh rresht të rënies.

“Do të jetë shumë e parakohshme dhe mendoj joreale, të mendojmë se do të përfundojmë me këtë virus deri në fund të vitit. Por unë mendoj se ajo me të cilën mund të përfundojmë, nëse jemi të zgjuar, janë shtrimet në spital, vdekjet dhe tragjedia e lidhur me këtë pandemi.”– u tha Ryan gazetarëve.

Mike Ryan, eksperti i urgjencave në OBSH-së, tha se lufta globale kundër koronavirusit është në një gjendje më të mirë tani sesa ishte 10 javë më parë, para se të kishte filluar shpërndarja e vaksinave. Por, shtoi ai, është shumë herët për të thënë që virusi po vihet nën kontroll.

/News31.al