Ambasadori i Shqipërisë në Turqi, Kastriot Robo, ka folur pak minuta më parë në lidhje me tërmetin e fuqishëm që ka goditur vendin. Në një prenoncim për "News24" ai tha se në qytetin e Izmir, ku ka godina të shëmbura dhe shumë dëme materiale nga tërmeti, ka shumë shqiptarë, por deri në këto momente nuk kanë ndonjë informacion për të lënduar. Robo është shprehur se tërmeti ishte shkatërrues dhe dyshohet se nën rrënoja ka viktima.
“Tërmeti ishte shumë i fortë, 6,6 ballë sipas minsitrit të jashtëm turk. Deri më tani 6 godina janë shembur, është krijuar një situatë paniku në Izmir. Është një tërmet me të vërtetë shkatërrues. Unë kam bërë dy komunikime me banorë në Izmir, ka hamendësime që nën rrënoja mund të ketë viktima. Me saktësi nuk e dimë, por është një qytet ku ka shumë shqiptarë, ka edhe shtetas shqiptarë të ardhur rishtazi, së fundmi. Jam në kontakte të vazhdueshme me ta, nuk kam një informacion të qartë. Mbani parasysh që situata është kritike. Po bëhet e pamundura që situata të përballohet",- ka thënë ambasadori ndër të tjera.
Deri në këto momente raportohet për të lënduar, në vendet ku janë shembur ndërtesat në Izmir. Autoritetet kanë filluar kërkimet për personat e humbur nën rrënoja. Pak minuta më përpara një grua u arrit që të nxirrej e gjallë nga rrënojat e pallatit të shembur. Përditësimi më i fundit konfirmon se deri më tani janë 4 viktima.