SPORT 22 Korrik 2022, 21:00

(Video) Tifozi i Romës i propozon të dashurës, Mourinho bëhet “dëshmitari” i çiftit

(Video) Tifozi i Romës i propozon të dashurës, Mourinho

Një tifoz i Romës ka menduar t’i propozojë të dashurës së tij në një mënyrë shumë të vecantë, duke realizuar me atë rast edhe ëndrrën e tij. Ai i kërkoi partneres dorën në martesë, përpara syve të trajnerit portugez Jose Mourinho.

Roma është duke e bërë fazën pregatitore në Portugali dhe pas stërvitjes së ditës së sotme që skuadra kreu atje, një tifoz i zjarrtë i verdhekuqve, që po ndjek ekipin e tij nga afër, ka menduar të surprizojë të dashurën duke i propozuar për martesë. Për këtë propozim ishin në dijeni vetëm tifozi në fjalë dhe punëtorët e mediave sociale të Romës, sepse sigurisht nuk u gjetën papritur me telefona në duar para ngjarjes që po ndodhte. Ndërkohë e gjithë situata duket se ishte surprizë për Jose Mourinho-n dhe stafin e tij, po aq sa për vajzën që po merrte propozimin. 

Fillimisht çifti bëri një foto me Mourinho-n, para se tifozi t’i kërkonte trajnerit portugez të qëndronte për disa sekonda, pasi qëllimi i tij është që ta ketë ‘Special One’-n dëshmitar të kësaj ngjarje. Mourinho fillimisht nuk e kishte të qartë se për çfarë bëhej fjalë, por pastaj qëndroi dhe duket sikur u emocionua. Kërkesa për martesë mori përgjigje pozitive, teksa fitoi edhe duartrokitjet e "Special One".

Roma ka shpërndarë videon në rrjetet sociale, duke e shoqëruar me mbishkrimin: Ndoshta vetëm kjo mungonte në trofetë e Mourinho-s.

/News31