
Produkti

Vajza e Pele ndan foton emocionuese nga spitali, legjenda e Brazilit vazhdon të jetë në gjendje të rëndë

Vajza e legjendës së futbollit Pele ka postuar së fundmi në Instagram një dedikim prekës për të atin, bashkangjitur me një foto të ikonës së Brazilit në shtratin e spitalit “Albert Einstein” në Sao Paolo.
“Ne vazhdojmë të jemi këtu, në luftë dhe me besim. Edhe një natë më shumë së bashku”- shkruan në postimin e saj Kely Nascimento. Në foto duket kjo e fundit që përqafon babain, ndërsa aty duket edhe mbesa e ish-futbollistit, Sophia.
Më herët këtë javë Nascimento tha se ata do t’i kalonin Krishtlindjet në spital. Pele, 82-vjeç, u shtrua në 29 nëntor për një infeksion të rrugëve të frymëmarrjes, po ashtu edhe për të rivlerësuar trajtimin e kimioterapisë ndaj kancerit të zorrëve, me të cilin u diagnostikua në shtator të 2021.
Përditësimet nga spitali thonin se shëndeti i brazilianit ishte përkeqsuar ndjeshëm, prandaj kishin vendosur ta mbanin të shtruar për të qenë nën monitorimin e mjekëve. Dedikime për legjendën e futbollit ka pasur edhe gjatë Botërorit nga lojtarë të ndryshëm, sigurisht edhe ato të kombëtares “Seleçao”, teksa vajza e tij dhe familja kanë falenderuar të gjithë publikun për mbështetjen gjatë këtyre ditëve të vështira.
/News31