SPORT 9 Janar 2023, 14:28

Sylvinho prezantohet zyrtarisht si trajner i kombëtares shqiptare, kreu i FSHF Duka zbulon arsyet përse zgjodhi brazilianin

Sylvinho prezantohet zyrtarisht si trajner i kombëtares shqiptare, kreu i

Pas lamtumirës së Edi Rejës në konferencën e realizuar nga FSHF ditën e sotme, trajneri i ri në detyrë i kombëtares kuqezi, Sylvinho, ka marrë fjalën e tij për herë të parë, duke shprehur si fillim një falenderim për punën e bërë nga paraardhësi dhe më pas ka folur për detyrën e tij të re. 

“Përshëndetje të gjithëve, ju falenderoj që ndodheni këtu të gjithë. Puna e një trajneri është shumë e vështirë gjithmonë. Kemi dëshirë të sjellim rezultate pozitive për të dërguar kombëtaren në pozicionin e duhur. Këtë pashë kur takova presidentin për herë të parë. Edhe ai pa te ne urinë dhe dëshirën për të bërë mirë, për t’i dhënë vazhdimësi projektit. Të gjithë flasin për zgjedhjet e trajnerit apo pozicionin e tij. FSHF më bindi të merrja përsipër këtë punë. Jemi të kënaqur, besoj do bëjmë një punë të mirë”, u shpreh Sylvinho, i cili në këtë konferencë bëri firmosjen simbolike të kontratës me Presidentin Duka, ndërsa po ashtu ju përgjigj edhe pyetjeve të gazetarëve. Ndër të tjera:

-A mendoni se kjo skuadër e ka mundësinë për të bërë mirë në eliminatoret e Evropianit?

“Ju falenderoj për pyetjen. Unë mendoj se flitet shumë për skemat taktike, por mendoj para së gjithash se futbollit duhet të përfshijë gjithçka. Për skemat do të shohim se si do të veprojmë, por unë mendoj se futbolli ndryshon dhe skemat përshtaten sipas lojtarëve. Ne jemi këtu për të dhënë maksimumin, për të zgjedhur lojtarët që japin maksimumin. Pak kohë më parë mbaroi Kupa e Botës që la disa mesazhe, se grupi është mbi të gjitha, dhe jo emri i skuadrës. Ne kemi një grup jo shumë të lehtë, për asnjë në grupin tonë nuk do të jetë e lehtë.”

-A e njihnit Shqipërinë përpara propozimit?

“Sigurisht që i njoh. Kam parë ndeshjet e Shqipërisë në miqësoret me Italinë. Gjithashtu edhe prej lojtarit shqiptar Rei Manaj në kohën kur punoja për Interin. Kemi shumë punë për të bërë, por me rëndësi është se kemi një grup të fortë lojtarësh dhe një kombëtare të mirë.

-Në mars është ndeshja e parë me Poloninë, a do të ketë presion?

“Kam punuar 4 vite me Brazilin dhe detyra jonë është gjithmonë të bëjmë punën më të mirë dhe të gjejmë lojtarët më të mirë. Ndeshja e parë do të jetë shumë e vështirë, ajo ndaj Polonisë. Por ne do të bëjmë maksimumin dhe mendoj se jemi të bindur se mund të bëjmë shumë mirë. Duhet të punojmë për një kohë të shkurtër dhe duhet të sjellim rezultate të mira.”

Pyetjeve të gazetarëve i është përgjigjur edhe Armando Duka, teksa ndër të tjera ka shpjeguar edhe arsyet pse ka zgjedhur brazilianin Sylvinho:

“Në media kanë dalë emrat që kemi diskutuar, nuk ka qenë e lehtë të vendosnim. Gjëja e parë që u kam thënë kandidatëve është që Kombëtarja nuk është vetëm skuadër futbolli, është një përgjegjësi e madhe. Pse Sylvinhon? Kur kemi diskutuar me Sylvinhon, në Milano, kemi diskutuar projektet tona. Kam menduar që është zgjedhje e duhur, për ne për të marrë atë që duhet dhe për trajnerin për të qenë në një shkallë më lart në karrierën e tij. Kur kemi diskutuar mes nesh, me stafin e Federatës, kemi menduar që Reja shumë i vjetër, Silvinho shumë i ri, kështu vendosëm për më të riun.”

-Keni shkuar deri në Brazil për të gjetur njeriun e duhur, ka ndryshuar koncepti juaj për trajnerin e Kombëtares?

"Nuk jemi nisur nga nacionaliteti, por nga cilësitë e kandidatit dhe ato njerëzore. Të tre njerëzit që kemi në panel janë me përvojë evropiane me ekipe shumë të mëdha, kanë eksperiencën e duhur për ta ndihmuar kombëtaren tonë. Dikush më tha se ata kanë luajtur me Zotin, por kush është Zoti? Messi. Ata kanë luajtur me Messin dhe tregon që kanë shumë njohuri për futbollin."

Aspekti teknik dhe financiar, sa kanë luajtur rol?

"Do të them një të vërtetë që nuk e kemi deklaruar. Kur zgjedhim trajnerin nuk u shmangemi përgjegjësive. Ka qenë një vendim kolegjial. Kur kemi emëruar Panucci-n me stafin teknik me votim dhe ka fituar me vetëm 0.5 pikë ndaj kandidati tjetër. Mbase nuk bëmë zgjedhjen më të mirë. Këtë herë nuk e kemi bërë me pikëzim. Kemi menduar të gjithë se me këtë trajner kemi më shumë mundësi."

Kur flasim për projekt, është vetëm për Europianin?

"Kontrata jonë është lidhur me Euro 2024, por kjo nuk do të thotë se do të ndërpresim marrëdhëniet për një shtyllë jashtë, por mendoj se 18 muaj janë mjaftueshëm."

Cili do të të jetë stili që do të luajmë?

"Edhe pse nuk jam teknik futbolli, një nga pyetjet ka qenë kjo që ua kam bërë kandidatëve. Realisht kam marrë të njëjtën përgjigje nga të gjithë: varet nga futbollistët që kemi dhe kundërshtarët. Sylvinho do ta thotë vetë cili është moduli i tij i preferuar."

Keni diskutuar me Sylvinhon edhe për ekipet e moshave për një stil loje?

"Trajneri i ekipit A është kryetrajner për ekipet e moshave, këtë do të bëjë edhe Silvinho, për të ndihmuar dhe konsultuar për sistemin e lojës, etj. Në situata ndryshme çdo trajner ndryshon modul. Pikërisht për t’u përshtatur janë trajnerët."

/News31