Shqipëria vend kandidat për organizimin e një Kampionati Evropian, FSHF nis garën!

Okay, para se të vrisnin mendjen se si mundet Shqipëria të organizojë një Kampionat Evropian, me 4 stadiume, po ju bëjmë me dije se bëhet fjalë për Kampionatin Evropian U-17 DHE U-19, pra për moshat e reja, për të cilat vendi ynë i plotëson kriteret. Kështu, Komiteti Ekzekutiv i UEFA-s do të shqyrtojë në mbledhjen e radhës së 26 shtatorit kandidaturat për organizimin e Kampionatit Evropian U-17 për vitet 2025, 2026 dhe 2027 dhe Kampionatit Evropian U-19 për vitet 2026 dhe 2027.
Federata Shqiptare e Futbollit (FSHF) është pjesë e kësaj gare të rëndësishme për të cilën ka dorëzuar aplikimet, teksa garon me Federata nga vende të rëndësishme europiane. Në aplikimin e dorëzuar është parashikuar që ndeshjet të zhvillohen në “Air Albania Stadium”, “Elbasan Arena”, “Loro Boriçi” dhe “Arena Egnatia”. Këto stadiume do të presin ndeshjet e fazës së grupeve, ato gjysmëfinale dhe finalen e madhe. Gjithashtu për zhvillimin e një kompeticioni të tillë, kërkohen 8 qendra stërvitore me fusha me bar natyral, të cilat do të jenë në aksin Tiranë-Durrës, kjo edhe për shkak të numrit të hoteleve me kushte specifike që kërkohen.
Shqipëria në fakt është kualifikuar nga "Komisioni i Tenderimit" si një vend që i ka të gjitha aftësitë, kapacitetet dhe plotëson kriteret për organizimin e një Kampionati Europian për moshat e reja. Ky është një sukses, duke parë kriteret e larta që aplikohen në organizimin e kompeticioneve të tilla madhore, me vëmendje dhe interes të madh ndërkombëtar.
Sigurimi i të drejtës për organizimin e një Kampionati Evropian futbolli, nëse ky besim do t’i jepet nga UEFA në mbledhjen Komitetit Ekzekutiv javën e ardhshme, do të ishte deri më tani aktiviteti dhe ngjarja më e madhe sportive e organizuar ndonjëherë në Shqipëri dhe rajon, teksa tejkalon në rankim edhe organizimin e finales së parë historike të UEFA Conference League.
Për kompeticionet që ka aplikuar FSHF do të jenë pjesëmarrëse 8 skuadra, duke sjellë në vendin tonë interes të madh mediash, tifozësh dhe skuadrash të mëdha, që do ta kthenim vendin tonë për një muaj në epiqendër futbolli. Në të njëjtën kohë me marrjen e të drejtës së organizimit të një kompeticioni kaq madhor lind dhe detyrimi për të kryer disa investime të rëndësishme shtesë në infrastrukturën e stadiumeve dhe veçanërisht fushave stërvitore ku së bashku me pushtetin qendror dhe atë lokal do të duhet të investohet në Tiranë, Durrës, Kamëz, Elbasan, Shijak, Rrogozhinë e Kavajë.
/News31
Burimi: FSHF