"Pse të blej Ferrari kur mund të ndërtoj spitale?!" Humanizmi i Sadio Manes e bën atë një model edhe jashtë fushës
Sadio Manè është momentalisht kryefjala në botën e futbollit. Fitimi i AFCON me Senegalin duke u shpallur lojtari i këtij turneu më në fund i dhanë numrit 19 të Liverpool gjithë meritat që i takojnë. Megjithatë, sot ne nuk duam të fokusohemi te aftësitë e tij brenda fushës së blertë, por te humanizmi i Manè-s.
Të kaluarit nga varfëria (shpesh absolute), tek pasuria absolute iu falë lojtarëvs benefite të mëdha: vila, makina shumë të shtrenjta, veshje e ora me diamante, udhëtime ëndrrash dhe shumë të tjera. Një pjesë e tyre "dehen" nga gjithë kjo pasuri dhe shpesh kemi qenë dëshmitarë të jetës së tyre të shfrenuar. Por, nuk është ky rasti i Sadio Manè-s i cili është një njeri shumë i përulur dhe me këmbë në tokë.
Për mediat afrikane ai ka rrëfyer se nuk është aspak i interesuar për lukset e jetës së një futbollisti, por i intereson vetëm që të ndihmojë të varfërit. Senegalezi tha për "NsemWoha.com" kohë më parë:
“Për çfarë më duhen 10 Ferrari, 20 orë me diamante dhe dy avionë? Çfarë do t’i sillte kjo botës? Unë kam vuajtur nga uria, kam punuar në arë, kam luajtur zbathur dhe nuk kam shkuar në shkollë. Sot mund të ndihmoj njerëzit. Preferoj të ndërtoj spitale, shkolla dhe t’i jap ushqim e veshmbathje njerëzve të varfër”.
Sadio Manè fiton 5.2 milion paund në sezon. Nuk është shifër e hamendësuar por zyrtare. Megjithatë, gjithë këto para nuk janë ato që e bëjnë atë të pasur. Sadio është i ndërtuar me vlera shumë të forta dhe nuk ka harruar se ku ka filluar gjithçka për të. Jeta e tij ka qenë e vështirë, një rrugë e trazuar, por që ka arritur të marrë formë me kalimin e kohës, dhe sot Sadio nuk e harron origjinën e tij.
Sadio Mane ndërtoi një spital në fshatin ku lindi pasi babai i tij e la në moshë të vogël sepse atje nuk kishte spital. Manè po ashtu, financoi ndërtimin e një shkolle dhe përveç kësaj, ai paguan 70 euro në muaj për një numër të paspecifikuar njerëzish, në mënyrë që të kontribuojë në ekonominë familjare të secilit prej tyre.
Gjatë këtij turneu në Afrikë ai siguroi fluturimin e 50 fansave të Senegalit për të parë ndeshjen e tyre në gjysmëfinale.
Në tunelin e Anfield gjatë një ndeshjeje Manè u kap nga paparaci me një telefon ne dorë me ekran të thyer, e këto foto i lanë fansat të impresionuar. Një milioner me telefon të thyer kur mund të ketë çdo javë nga një të ri. Gazetarët nuk hezituan të kërkonin shpjegime dhe përgjigjja e Sadios ishte: "Pse duhet ta ndryshoj kur funksionon akoma?" Brenda kësaj përgjigjeje ka gjithçka, të kaluarën por edhe të tashmen dhe të ardhmen e një personi që nuk do ta harrojë kurrë se çfarë do të thotë të luftosh për të mbijetuar.
Pra, për çfarë përdoren paratë? Si mund ta përmirësojnë njeriun? Si arrijnë ta bëjnë atë të lumtur? Manè u dha përgjigje këtyre pyetjeve përmes veprimeve konkrete që e kanë bërë atë unik në mënyrën e tij të të qënurit. E tija nuk është thjesht bamirësi, është një ndjenjë përkatësie dhe mirënjohjeje.
/News31