Përplasjet mes Igli Tares dhe presidentit të Lazio-s, pasojat “i vuan” djali i drejtorit shqiptar
Duket se përplasjet mes Igli Tares dhe Claudio Lotito-s, shpesh të raportuara në mediat sportive dhe asnjëherë të konfirmuara nga protagonistët, tani po japin edhe pasojat e para. Mes palëve ka pasur vazhdimisht mosmarrëveshje te skuadra e Lazios, sidomos në zgjedhjet e merkatos, edhe pse deri më tani nuk ka asnjë vendim mbi Drejtorin Sportiv, që është vlerësuar ndër vite për punën e mirë që ka bërë në ekipin e kryeqytetit.
Megjithatë siç duket nga këto përplasje e ka pasuar djali i ish-sulmuesit të Kombëtares, Etienne Tare, të cilit nuk i është rinovuar kontrata me skuadrën e kaltër. Ai aktivizohej për ekipin e të rinjve, Lazio Primavera, por në sezonin e ri raportohet se nuk do të jetë më pjesë e tyre.
Prandaj Tare Junior do të detyrohet të gjejë një ekip të ri, ndoshta në Serie C. Statistikat e tij në sezonin e fundit ishin 6 gola dhe 2 asiste në 23 ndeshje, shpeshherë jo në pritshmërinë e duhur.
Përtej asaj që do të jetë e ardhmja e Iglit në hierarkinë drejtuese të Lazio-s, Etienne tani ka përshëndetur stafin dhe bashkëlojtarët, gati për të nisur një aventurë të re.
/News31