Parulla ”Kosova është Serbi”/ UEFA pezullon ndeshjen Kosovë-Rumani

UEFA ka vendosur që tani e tutje të mos ketë më parulla provokuese drejt Kosovës! Këtë duhet ta kuptojnë sa më mirë të gjithë ata që kanë ndjekur ndeshjen mes Rumanisë dhe Kosovës në minutat e para të saj.
Pas pak minutash, ultrasit rumunë ndezën fishekzjarrë dhe hapën një parullë në të cilën shkruhej: ”Kosova është Serbi”. Një mesazh dhe provokim politik, i cili i ka lënë pak vend UEFA-s.
Gjyqtari dhe delegati i ndeshjes i kanë dhënë fund shpejt dyshimeve duke kthyer skuadrat në dhomat e zhveshjeve, për të bërë të qartë se nga tani e tutje nuk do të tolerohen më gjëra të tilla, as në vende si Rumania e cila nuk ka njohur zyrtarisht pavarësinë e Kosovës.
UEFA njoftoi në webiste-n e saj zyrtar se:
“për shkak të sjelljeve diskriminuese ndeshja u ndërpre deri në njoftimin e radhës”.
Ndeshja e cila është e vlefshme për kualifikimet e Euro 2024, u ndërpre në minutën e 17-të. Kosova bën pjesë në Grupin I, ku janë edhe Zvicra, Rumania, Izraeli, Bjellorusia dhe Andorra.
Aktualisht Kosova ka siguruar vetëm katër pikë dhe gjendet e parafundit në tabelën e këtij grupi.