SPORT 29 Maj 2023, 19:05

Partizani triumfon në “Arenën e Demave” dhe shpallet për herë të 17-të kampion i Shqipërisë!

Partizani triumfon në “Arenën e Demave” dhe shpallet

Partizani ka arritur të triumfojë me rezultatin e pastër, 2-0, në ndeshjen e javës së fundit të “Abissnet Superiore”, duke u shpallur kështu për të 17-tën herë, kampionë të Shqipërisë, mes një atmosfere elektrizuese në “Arenën e Demave”.

Goli i parë i sfidës erdhi në minutën e 39’-të të sfidës nga Arilindo Rrapaj, duke i dhënë kështu avantazhin e shumë kërkuar shokëve të tij të skuadrës, ndërsa goli i dytë erdhi nga Tedi Cara në minutën e 96′-të të sfidës, duke i dhuruar kështu fitoren e madhe kryeqytetasve.

Në krahun tjetër, rivalët historikë, por dhe direkt në garën e këtij viti për titullin kampion, “bardheblutë” e Tiranës fituan ndaj “shijakasve” të Erzenit, me sfidën e luajtur në “Niko Dovana”, që mbaroi me rezultatin 2 me 1, pas golave të Haxhiut e Abazajt për “bardheblutë” e Iljazit për “shijakasit”, respektivisht në minutat 36’, 95′ e 40’ të sfidës.

Pas këtyre rezultatave “demat e kuq” të Partizanit e mbyllin këtë sezon të “Abissnet Superiore”, në vendin e parë të renditjes me plot 67 pikë, po aq sa kundërshtarët historikë, “bardheblutë” e Tiranës, të cilët e mbyllën kampionatin në vendin e 2-të të renditjes, po me 67 pikë, por me një bilanc negativ në përballjet direkte.