Ndeshja Partizani-Tirana, bllokohen disa nga rrugët e Tiranës!
Policia e Tiranës ka njoftuar masat e marra në prag të derbit të Tiranës që do të zhvillohet ditën e nesërme, më 2 tetor, në orën 19:00, në stadiumin “Air Albania”. Nisur nga ndeshja dhe numri shumë i madh i tifozëve e tifo grupeve që do të jenë të pranishëm për ta ndjekur, do të ketë bllokime të disa segmenteve rrugore, si dhe bllokime të pjesshme të disa segmenteve rrugore, kryesisht gjatë momentit të kalimit të këtyre tifozëve.
Deklarata e plotë e Policisë:
"Segmentet rrugore që do të jenë të bllokuara, nga ora 16:00 deri në përfundim të aktivitetit, janë:
– Rruga “Lek Dukagjini” përreth stadiumit, rruga “Dervish Hima”, rruga “Gjergj Filipi”, rruga “Papa Gjon Pali II”, nga kryqëzimi me rrugën “Ismail Qemali” deri tek stadiumi “Air Albania” .
Do të ketë bllokim të pjesshëm të rrugëkalimeve të tifozëve, si më poshtë:
– Lëvizja e tifozëve të Tiranës: Nga Teatri i Operas dhe Baletit, bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, rruga “Bajram Curri”, Rruga e Elbasanit, rruga “Dervish Hima” – stadiumi.
– Lëvizja e tifozëve të Partizanit: Kryqëzimi i rrugës “Muhamet Gjollesha” me rrugën “Artan Lenja”, përgjatë rrugës “Muhamet Gjollesha”, rruga “Sulejman Delvina”, rruga “Gjergj Filipi” – stadiumi.
Policia do të garantojë dhe do të sigurojë lëvizjen e tifozëve përgjatë rrugëkalimeve të caktuara dhe nuk do të lejojë grumbullim apo kalim të tifozëve jashtë itinerarit të caktuar.
Po në zbatim të planit të masave, do të ushtrohen kontrolle ndaj tifozëve para hyrjes në stadium për sende të kundërligjshme (sende të forta, bidonë uji, çadra, çelësa metalik apo lëndë piroteknike etj). Çdo tifoz duhet të jetë i pajisur me dokument identifikimi.
Nuk do të lejohen të futen në stadium persona pa dokument identifikimi, si dhe fëmijët nën moshën 16 vjeç, pa praninë e prindërit apo kujdestarit kjo e shoqeruar me dokument.
Gjithashtu, nuk do të lejohen të futen në stadium të gjithë ata tifozë të cilët në aktivitete të ndryshme sportive janë të identifikuar nga Policia, si tifozë problematikë."
/News31
Shërbimet e Policisë në rastet e prishjes së rendit dhe qetësisë publike, do të ndërhyjnë si në ambientet e jashtme të stadiumit, ashtu dhe në ambientet e brendshme, për rivendosjen e rendit dhe shoqërimin e personave që do shkaktojnë trazira apo kryejnë veprime antisportive./ Opinion.al