
Produkti

Kontrata e trajnerit të ri të Kombëtares Sylvinho, zbulohen shifrat dhe shpërblimi “i majmë” për EURO 2024

Një milion euro shpërblim për kualifikimin e Shqipërisë në Euro 2024 që do të zhvillohet në Gjermani. Nuk është ende zyrtare, por kjo pritet të jetë shifra që Sylvinho dhe stafi i tij do të përfitojnë gjatë punës me Kombëtaren, nëse realizojnë objektivin madhor të përcaktuar.
Bonusi i vendosur është thuajse sa dyfishi i pagës që trajneri brazilian dhe ndihmësit e tij, Dorival Guidoni, nënkampion bote me Brazilin në vitin 1998 dhe Pablo Zabaleta, nënkampion bote me Argjentinën në 2014-n, do të marrin në krye të pankinës kuqezi. Edhe në këtë rast flasim për shifra jo zyrtare, por përflitet që paga e trajnerit gjatë 18 muajve të kontratës me Federatën e Futbollit do të jetë rreth 500 mijë euro, teksa 100 mijë euro të tjera janë paga për stafin.
Sylvinho është një trajner pa eksperiencë si "numri 1" i stolit, prandaj ka një pagë të përballueshme. I ri dhe me ambicie, ai mund të shkëlqejë falë bashkëpunimeve me ish-teknikun e Brazilit, Tite, apo si ndihmës i Mancinit tek Interi. Duket se ishte ky kombinimi vendimtar në zgjedhjen e Sylvinhos në krye të stolit të Kombëtares. Gjithmonë me kushtin që pagesa dhe vazhdimësia me kuqezinjtë do të varen nga rezultatet në fushë. /News31
Burimi: Opinion