
Produkti

Jo vetëm në sport, Pele la pas edhe një pasuri të madhe për familjen!

Edson Arantes do Nascimento, i njohur si Pele, ndryshe O'Rey, u nda ditën e djeshme nga jeta, pas një lufte të vështirë me kancerin, duke lënë pas shumë rekorde botërore dhe momente të gdhendura thellë në kujtesën e futbolldashësve. Legjenda e Brazilit shënoi mbi 1000 gola dhe ka fituar në karrierën e tij 3 Kupa Bote. Por përveç pasurisë në sport, ai mesa duket ka lënë pas edhe një pasuri të madhe, që e lejoi atë dhr familjen të jetonte shumë mirë.
Në fakt, në kohën e tij, “Mbreti” ka qenë sportisti më i paguar në botë, por sa është pasuria që ka lënë pas futbollisti më i mirë brazilian në histori? Siç raportohet e kalon vlerën e 100 milionë dollarëve, ndërkohë që gjatë jetës së tij ikona e futbollit ka ditur si të bëjë edhe investime me leverdi, për shembull duke blerë vilë në Nju Jork për 100 000 $, të cilën e shiti më vonë për rreth 3 milionë dollarë. Ndërkohë, edhe pse i pasur, që nga viti 2014, Pele merrte edhe një pension mujor prej 552 eurosh nga shteti brazilian.
Sigurisht, jo e gjithë pasuria e Pele vjen direkt nga futbolli. Ai përfitonte shuma të majme nga kontratat publicitare dhe këtë gjë e ka pranuar nëpër intervista të ndryshme: “Unë nuk u pasurova me futbollin, siç pasurohen sot futbollistët. Unë fitova para me reklamat, kur e kisha lënë futbollin. Por, nuk kam bërë kurrë reklama që të kenë lidhje me duhanin, alkoolin, politikën apo fenë”.
/News31