SPORT 10 Mars 2023, 18:14

I dënuar nga autoritetet italiane për përdhunimin e një vajze shqiptare, Robinho arratiset për të shmangur burgun!

I dënuar nga autoritetet italiane për përdhunimin e një

Dikur një nga futbollistët më të talentuar në qarkullim, braziliani Robinho u dënua pak kohë më parë nga autoritetet italiane me plot 9 vite burg për akuzën e përdhunimit në grup të një vajze shqiptare në vitin 2013, teksa ishte pjesë e AC Milan. 

Megjithatë tani duket se ai mund të jetë arratisur, pasi u arrit një marrëveshje mes Italisë dhe Brazilit që ta kryejë dënimin me burg. Gazeta argjentinase “Ole” shkruan se zyrtarët ligjorë shkuan për të gjetur Robinho-n për t’i informuar për marrëveshjen midis Ministrisë Publike Federale të Brazilit dhe drejtësisë italiane, por ata nuk e gjetën atë në asnjë nga 3 adresat e dhëna më parë nga lojtari në Polici dhe momentalisht nuk ka asnjë shenjë prej tij. 

Ish-futbollisti i Kombëtares braziliane u dënua në Itali në fillim të vitit 2022 dhe që nga ajo kohë qëndronte në vendin e tij të lindjes për të shmangur burgimin pasi Italia nuk kishte një marrëveshje me Brazilin për ekstradimin.  Megjithatë, marrëveshja mes autoriteteve të të dy vendeve për ta detyruar Robinho-n të vuante dënimin në shtetin e Amerikës së Jugut ndryshoi gjërat rrënjësisht për ish-lojtarin, i cili po mundohet t’i shmanget drejtësisë. 

/News31