Gjermania eleminohet nga “Qatar 2022”, Spanja e le “në baltë” pasi humbi me përmbysje ndaj Japonisë
Gjermania është eleminuar nga Kampionati Botëror, edhe pse ka arritur të fitojë ndaj Kosta Rikës me përmbysje, teksa është lënë "në baltë" nga Spanja që ka humbur ndaj Japonisë, duke u rrëzuar kështu edhe nga vendi i parë në grup.
Kêshtu "Qatar 2022" bëhet edicioni i dytë radhazi që Gjermania nuk kalon në fazën me eleminim direkt. Ndeshja e sotme nisi me “pancerat” në sulm, të cilët arritën të gjenin golin, që në minutën e 10’ me Serge Gnabry, por pa arritur të shfrytëzonin rastet e panumërta të krijuara nga Musiala e Sane. Me startin e pjesës së dytë, skuadra e Flick vazhdoi të sulmonte portën e Kosta Rikës, por në minutat 58’ dhe 70’, Tejeda dhe Vargas “përmbysën” rezultatin në 2-1.
Reagimi i Gjermanisë do të ishte i menjëhershëm me sulmuesin e Chelsea, Kai Havertz, që do të gjente rrugën e rrjetës dy herë në minutën e 73’ dhe të 85’, për të kaluar sërish të tijët në avantazh. Gjermania do të shënonte edhe në minutën e 91’, me Niclas Fullkrug, por rezultati 2-4 nuk ka qenë i mjaftueshëm për të kaluar grupin.
Kjo pasi në anën tjetër Japonia ka mundur Spanjën me rezultatin 2-1. Në fakt spanjollët kaluan në avantazh në minutën e 11-të me anë të Morata pas një asistimi nga Azipilicueta. Ky interval kohor ishte pak intensive në aspektin e ndërhyrjeve, pasi Japonia mori 3 kartona të verdhë.
Pjesa e dytë ishte befasuese për iberikët. Në minutën e 48-të Doan shënon duke barazuar shifrat. Por nuk kaloi shumë dhe Japonia përmbys rezultatin në minutën e 51-të me anë të Tanaka, ku VAR e vonoi konfirmimin, pasi po shikonte për parregullsi, por në fund goli ishte i rregullt.
Spanja luajti pjesën e mbetur komplet në fushën e aziatikëve, por nuk po gjenin rrugën e golit.
Japonia me këtë fitore e përfundon aventurën e grupeve në vendin e parë dhe do të ndeshet me Kroacinë, ndërsa Spanja në vendin e dytë dhe gjen Marokun.
/News31