SPORT 14 Korrik 2023, 22:18

Futbollisti i famshëm rrëfen traumat dhe problemet me shëndetin mendor: "Jam abuzuar kur isha fëmijë, po luftoj ndaj varësive"

Futbollisti i famshëm rrëfen traumat dhe problemet me shëndetin

Dele Alli prej periudhës 2016-2019 ka qenë një prej futbollistëve më premtues dhe më të talentuar të Tottenham Hotspur në Angli dhe të vetë përfaqësueses britanike, teksa prej periudhës së pandemisë e më tej, nisi një kalvar i gjatë vështirësisë për sportistin, me rënie nga forma, transferime të dështura dhe për të ardhur sot, kur në moshën 27-vjecare, sapo përmbylli një aventurë të pasuksesshme në Turqi. Së fundmi, i detyruar edhe nga titujt e mediave, por edhe nga kurioziteti e pyetjet e shpeshta të publikut për gjendjen e tij, ai pranoi të jepte një intervistë për podcast-in "The Overlap" të ish-futbollistit Gary Neville, në një rrëfim që shkon përtej futbollit dhe që po konsiderohet si një prej intervistave më të fuqishme të dhëna ndonjëherë nga një futbollist i këtij niveli, teksa ks shkaktuar mjaft reagime në rrjet e jo vetëm.

Kështu, Dele tha se ka vuajtur shumë trauma në fëmijëri, teksa për herë të parë ka zbuluar se është abuzuar në moshën 6-vjeçare. Mes shumë emocionesh, madje edhe lotësh, futbollisti anglez rrëfeu gjithashtu se kishte një varësi nga tabletat e gjumit dhe zbuloi se ka kaluar gjashtë javë në rehabilitim në SHBA këtë verë..

"Ka pasur disa incidente nga fëmijëria ime që mund t'jua përmbledh"- tha Dele, teksa rrëfeu:

"Në moshën 6-vjecare, unë u ngacmova nga një mik i mamasë sime, i cili ishte shumë në shtëpi. Mamaja ime ishte e varur nga alkooli. Më pas më dërguan në Afrikë për të mësuar disiplinën, por pastaj më kthyen. 7 vjec fillova të pi duhan. 8 vjec fillova të merresha me drogë, të shisja drogë. Një person i moshuar më tha se nuk do ta ndalonin një fëmijë, kështu që unë udhëtoja me topin tim të futbollit dhe poshtë tij kisha drogë. 11 vjev më varën nga një urë me kokë poshtë, një djalë nga një zonë tjetër e qytetit. Në moshën 12 vjeç, më birësuan. Dhe që atëherë, u birësova nga një familje e mrekullueshme, nuk mund të kisha kërkuar njerëz më të mirë për të bërë atë që kanë bërë për mua… Nëse Zoti i krijoi njerëzit e duhur, ishin ata. Ata janë të mrekullueshëm dhe më kanë ndihmuar shumë."

Ndërkohë sa i takon varësisë, që në fakt ka nisur vite më parë, ai tha:

"Unë u bëra i varur nga tabletat e gjumit dhe ndoshta nuk është një problem vetëm i imi. Mendoj se është diçka që po ndodh më shumë sesa njerëzit e kuptojnë në futboll. Tani është ndoshta koha e duhur për t'u thënë njerëzve. Është e vështirë të flasësh për këtë pasi është diçka që e kam fshehur për një kohë të gjatë.

Isha në një vend të keq mendërisht. Vendosa të shkoj në një institucion modern rehabilitimi që merret me varësinë, shëndetin mendor dhe traumat. Ndjeva se ishte koha për mua. Nuk të thotë njeri që duhet të shkosh, duhet ta merrni vendimin vetë.

Isha në një cikël vërtetë të keq. Mendoja vetëm gjëra që po më bënin dëm. Zgjohesha cdo ditë dhe e bëja luftën duke shkuar në stërvitje duke buzëqeshur - i gatshëm të tregoja se isha i lumtur. Brenda po e humbja betejën dhe ishte koha për të ndryshuar. Kur më thanë se kisha nevojë për operacion pas një dëmtimi, mendova se ishte koha e duhur për ta thyer këtë cikël.

Tek Everton (skuadra e tij) kanë qenë të mrekullueshëm. Unë do t'u jem mirënjohës atyre përgjithmonë, që ishin kaq të sinqertë dhe të kuptueshëm, nuk mund të kërkoja asgjë më shumë gjatë asaj kohe, teksa po merrja vendimin më të madh të jetës sime - të bëja diçka që kisha frikë. Jam i lumtur që e kam bërë."

Sa i takon betejës me varësinë, ai tregoi:

"Para se të ndaloja përfundimisht, më vinte dëshira t'i përdorja sërish (ilacet e gjumit), por doja të isha esëll për një periudhë kohore dhe më pas, kur diçka më ndodhte, kur kisha këto ndjenja negative, i merrja sërish, ishin shumë, nuk dua të them shifra, por ishte abuzim. Dhe kishte disa momente të frikshme. Ekipet na i jepnin ato për një aryse, për të fjetur. Unë nuk po i përdorja për të fjetur, i merrja gjatë gjithë ditës, ndonjëherë nga ora 11:00 nëse do të isha pushim. Vetëm për të shpëtuar nga realiteti.

Filloi me një mjek që m'i dha dhe më pas u shndërrua në më shumë se kaq. Kur doni dicka, gjehet mënyra. Në fillim, ishte një për gjumë  dhe për shumicën e njerëzve është okay, mund ta përballojnë Por, për mua, ishte rregullimi i diçkaje tjetër që nuk e dija se mund ta rregulloja."

Sa i takon lidhjes së tij me futbollin këtë periudhë ai tha:

"Njerëzit nuk e kuptojnë sa i vështirë është mendërisht futbolli. Mos më keqkuptoni, unë e dua futbollin. Më shpëtoi jetën. I detyrohem gjithçka. Por nuk është aq e lehtë sa të gjithë mendojnë se është. Po, ju keni para dhe mund të bëni shumë gjëra që do të donit të bënit. Nuk mund të bëj pa të, por mendërisht, nëse nuk janë pjesë e tij, nuk mendoj se njerëzit do ta kuptojnë ndonjëherë se çfarë mund të të bëjë.

Ndoshta momenti më i trishtuar për mua ishte kur Jose Mourinho ishte trajner i [Tottenham]. Unë isha 24. Më kujtohet se ishte një seancë - kjo ishte kur ai nuk fuste më në fushë - isha në një vend të keq dhe mbaj mend që shikoja veten në pasqyrë, tingëllon pak dramatike, por po pyesja nëse mund të tërhiqesha tani, në moshën 24 vjeç, duke bërë atë që dua më shumë në jetë. Ishte zemërthyese ta kishte atë mendim. Kjo më lëndoi dhe ishte një gjë tjetër që duhej të mbaja brenda".

Pas publikimit të intervistës, Everton lëshoi një deklaratë duke lavdëruar guximin e Alli dhe duke kërkuar që të respektohet privatësia e tij. Një zëdhënës i klubit tha:

“Klubi e ka mbështetur Delen si në rikthimin e tij në fitness, ashtu edhe në tejkalimin e sfidave personale, të përmendura në intervistën e tij me The Overlap. Të gjithë tek Everton respektojnë dhe duartrokasin guximin e Deles për të folur për vështirësitë me të cilat është përballur, si dhe për të kërkuar ndihmën e duhur.

Mirëqenia fizike dhe mendore e të gjithë lojtarëve tanë ka shumë rëndësi. Klubi e merr shumë seriozisht përgjegjësinë e tij në mbrojtjen e konfidencialitetit të lojtarëve dhe stafit. Dele nuk do të kryejë asnjë intervistë të mëtejshme në lidhje me rehabilitimin e tij dhe ne kërkojmë që privatësia e tij të respektohet derisa ai të vazhdojë rikuperimin e tij nga lëndimi dhe të marrë kujdesin dhe mbështetjen e plotë të nevojshme për mirëqenien e tij fizike dhe mendore”.

Shoqata e Futbollistëve Profesionistë në Angli ka lëshuar një deklaratë në Twitter në përgjigje të intervistës së ish-yllit të kombëtares angelze:

“Është jashtëzakonisht e guximshme për Dele të tregojë historinë e tij me kaq ndershmëri në këtë intervistë të rëndësishme. Ta dëgjosh të flasë me kaq çiltërsi do të bëjë vërtetë ndryshim dhe dëshira e tij për të treguar përvojat e tij dhe për të qenë si frymëzim për të tjerët – brenda dhe jashtë futbollit – është diçka për të cilën ai duhet të jetë jashtëzakonisht krenar”.

Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, gjithashtu dha një deklaratë pas intervistës, duke shkruar: "Shumë i prekur që mësova për përvojat e dhimbshme të Deles si fëmijë dhe futbollist i ri. FIFA përforcon rëndësinë e madhe për t'u kujdesur për shëndetin emocional dhe mendor të lojtarëve në çdo nivel, dhe njohjen e simptomave të problemeve të shëndetit mendor. Nëse ju ose dikush afër jush është duke luftuar, #RreachOut."

/News31